Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka publikuar disa nga të dhënat e një hulumtimi të NDI-së, të cilat, sipas tij, dëshmojnë dështimet e qeverisjes së LVV-së gjatë viteve të fundit.
Për Demantim News, Hoti deklaroi se premtimet për drejtësi sociale, luftim të korrupsionit, shëndetësi dhe arsim cilësor, si dhe punësim e të ardhura të sigurta, sipas tij, nuk janë realizuar.
Duke iu referuar të dhënave të NDI-së, Hoti tha se 44% e të rinjve të moshës 18–24 vjeç mendojnë të largohen përfundimisht nga Kosova.
Sipas të dhënave të publikuara prej tij, ndër problemet kryesore të qytetarëve renditen kostoja e jetesës, çmimet e larta dhe faturat e shërbimeve publike, ndërsa korrupsioni, pabarazia ekonomike dhe mungesa e llogaridhënies politike konsiderohen ndër rreziqet kryesore për demokracinë.
Hoti tha se ndër politikat më të nevojshme për qytetarët janë sigurimet dhe shërbimet shëndetësore, përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.
/Demantim News/