Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka përkujtuar 27 janarin 1945, ditën kur kampi famëkeq i përqendrimit në Aushvic u çlirua nga Ushtria e Kuqe, duke nxjerrë në dritë shkallën e pakonceptueshme të mizorive të kryera nga Gjermania naziste.
Përmes një reagimi në Facebook, ambasada thekson se grumbujt e valixheve të ekspozuara sot në Muzeun Aushvic-Birkenau mbeten dëshmitarë të heshtur të vuajtjeve dhe persekutimit të viktimave të panumërta që kaluan nëpër portat e kampit, ku më shumë se një milion njerëz u vranë.
“Sot, së bashku me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, dhe Ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, kujtojmë burrat, gratë dhe fëmijët hebrenj të vrarë, si dhe shumë grupe të tjera të dënuara me vdekje nga regjimi nazist”, thuhet në reagim.
Ambasada përmend gjithashtu Sinti dhe Romët, të burgosurit politikë, personat me aftësi të kufizuara, homoseksualët dhe të tjerë që vuajtën nën terrorin nazist, si dhe ata që i mbijetuan Holokaustit.
Duke theksuar se sot, më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, numri i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë po zvogëlohet, ambasada nënvizon rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
“Kujtimi i këtij kapitulli të errët në historinë tonë na obligon të sigurohemi që këto ngjarje të mos harrohen kurrë. Nuk duhet të lejojmë kurrë që tmerre të tilla të ndodhin përsëri”.