Temperaturat rekord janë regjistruar në disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, ndërsa vala e të nxehtit ekstrem, e shoqëruar me thatësira dhe zjarre, vazhdon të godasë rajonin.
Sllovakia, Austria dhe Hungaria raportuan temperatura historike. Në Sllovaki, në qytetin Dolné Plachtince u regjistrua një temperaturë rekord prej 42 gradë Celsius.
Në Poloni, autoritetet u detyruan të ndalonin përkohësisht funksionimin e termocentraleve me qymyr në Kozienice dhe Połaniec, pasi niveli shumë i ulët i ujit në lumin Vistula kufizoi furnizimin me ujë për ftohjen e tyre. Si pasojë, rreth 1.3 gigavat kapacitet prodhues u hoq nga rrjeti energjetik.
Kryeministri polak, Donald Tusk, u bëri thirrje punëdhënësve të marrin masa për mbrojtjen e punonjësve nga temperaturat e larta, duke siguruar ajër të kondicionuar dhe ujë të pijshëm.
Në Gjermani, aktivistët për klimën protestuan përpara kancelarisë, duke kërkuar veprime më të forta kundër ndryshimeve klimatike dhe mbrojtje më të mirë të qytetarëve nga nxehtësia ekstreme. Sipas vlerësimeve të Institutit Robert Koch, rreth 11.900 persona kanë humbur jetën këtë verë si pasojë e temperaturave të larta.
Edhe në Hungari, autoritetet njoftuan rikthimin në funksion të një turbine në termocentralin bërthamor Paks, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të kursejnë energjinë elektrike për shkak të konsumit të lartë.
Ekspertët paralajmërojnë se nxehtësia ekstreme dhe thatësira e zgjatur po rëndojnë gjithnjë e më shumë pasojat e krizës klimatike, duke ushtruar presion mbi popullsinë, infrastrukturën dhe ekosistemet.
Sipas organizatave mjedisore, kushtet aktuale tregojnë nevojën për përshpejtimin e investimeve në burime të ripërtëritshme të energjisë, si era dhe energjia diellore, të cilat kërkojnë më pak ujë për prodhimin e energjisë elektrike.
Valët e të nxehtit kanë favorizuar gjithashtu përhapjen e zjarreve në pyje. Që nga fillimi i vitit, rreth 500 mijë hektarë janë djegur në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Spanjë dhe Francë, ndërsa mbi 292 mijë hektarë janë përfshirë nga flakët në Ukrainë.
Në Austri janë regjistruar kushtet më të rënda për përhapjen e zjarreve të dokumentuara ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Rekorde të ngjashme janë shënuar edhe në Çeki dhe Sllovaki.
Analizat e fundit të ekspertëve tregojnë se ndryshimet klimatike kanë rritur ndjeshëm gjasat për shfaqjen e valëve ekstreme të të nxehtit dhe thatësirës në pjesë të mëdha të Evropës.