Deklaratë të ngjashme si të dëshmitarit të parë të thirrur nga mbrojtja, James Rubin, e dha edhe amerikani i dytë, Paul Willams në Gjykatën Speciale.
I pyetur për ish kreun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, rolin, veprimet dhe gjithçka që ka ndodhur në Rambuje, ku shërbente si këshilltar i delegacionit kosovar, Williams ishte i prerë.
Ai e konfirmoi se Thaçi nuk mund të jepte pëlqimin për marrëveshje pa miratimin e komandantëve të zonave.
“Ky është një përshkrim i përgjithshëm, për të treguar që s’kishte kompetenca dhe autoritet. Nuk mund t’i rendisja me emra komandantët e zonave….”.
Por, a ishte bërë ndonjë diskutim për nevojën e Thaçit për të diskutuar me komandantët rajonalë të UÇK-së?
“Mund të ju them që ishte shumë e qartë që ai ishte një përfaqësues i UÇK-së dhe ishte zëri i UÇK-së në atë Kështjellë. E kuptova që s’kishte autoritet për të dhënë pëlqimin mbi marrëveshjen..”.