Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me aksionet e sotme që ka zhvilluar Policia e Kosovës.
Që nga mëngjesi i hershëm sot janë zhvilluar aksione në qytetin e Pejës dhe mediat në vend kanë theksuar se janë arrestuar dy persona, babë e bir, për marrje me narkotikë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta ka theksuar se aksionet janë zhvilluar në disa lokacione.
Ajo tha se këto aksione lidhen me dyshimet për trafikim me substanca narkotike, si dhe pastrimin e parave.
“Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në disa lokacione. Operacioni lidhet me dyshimet për trafikim me substanca narkotike dhe veprat penale: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet pas përfundimit të operacionit policor,” ka thënë Luta.