October 19, 2026
1 min read

Tragjedi në Kamëz, punonjësi i Policisë Ushtarake dyshohet se vrau dy vëllezër dhe plagosi rëndë të tretin

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e sotme zonën e Bathores në Kamëz, ku dy vëllezër kanë mbetur të vrarë nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa vëllai i tyre i tretë është plagosur rëndë.

I dyshuari për ngjarjen është identifikuar si Ngushëllim Manzi, rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake. Ai është arrestuar nga policia pas incidentit, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit që dyshohet se është përdorur në krim.

Viktimat janë identifikuar si Selam Islamaj, rreth 30 vjeç, dhe Nazmi Islamaj, rreth 48 vjeç. Ndërkohë, Shefqet Islamaj, rreth 44 vjeç, ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në Spitalin e Traumës, ku po merr trajtim mjekësor.

Sipas të dhënave paraprake, i dyshuari dhe tre vëllezërit kanë qenë fqinjë, ndërsa konflikti dyshohet se ka nisur për motive të dobëta dhe më pas ka përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit.

Policia ka bërë të ditur se pas marrjes së njoftimit për të shtëna në rrugën “Petrela”, në Bathore, shërbimet policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje.

Nga hetimet fillestare rezulton se gjatë konfliktit, njëri prej vëllezërve ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerët janë dërguar në spital. Pavarësisht ndihmës mjekësore, njëri prej të plagosurve ka ndërruar jetë, ndërsa vëllai i tretë vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Pas ndërhyrjes së policisë, i dyshuari është vënë në pranga. Sipas informacioneve të bëra publike, ai nuk ka pranuar të japë deklarime pas arrestimit.

Grupi hetimor po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

Latest from Blog

Go toTop