Shoqëria Aksionare Trepça ka njoftuar se ka bërë kallëzim penal ndaj një kompanie, përgjegjëse për ndërhyrje të paautorizuara në pronën e Trepçës.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, rasti lidhet me punime të kryera pa leje në zonë të ndjeshme, duke rrezikuar sigurinë e minierës dhe jetën e punëtorëve, veçanërisht pranë depove të eksplozivëv.
“Ky veprim është i domosdoshëm për mbrojtjen e aseteve dhe për vendosjen e përgjegjësisë ligjore” thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, Trepça Sh.A., njoftoi se ka ndërprerë punimet e operatorit ekonomik “Hydro-Line SH.P.K”, i cili pa autorizim ka hapur rrugë përgjatë perimetrit të sigurisë së njësisë biznesore së minierës me flotacion në Stan Tërg.
“Punimet janë zhvilluar në parcelën kadastrale P-71208112-00109-0, në pronësi të Trepça Sh.A., duke cenuar zonën e sigurisë dhe duke ekspozuar objektet kritike të minierës.
Këto ndërhyrje janë kryer gjatë vikendit, në kohën kur administrata ka qenë në pushim, duke shmangur kontrollin institucional.
Nga ky veprim është krijuar një rrugë alternative që çon pranë depove të eksplozivëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun për sigurinë” kishte pohuar Trepça.