Një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një ngjarjeje të rëndë që ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë. I dyshuari për rastin, disa orë pas incidentit, është vetëdorëzuar në polici.
Në lidhje me këto zhvillime, sot në emisionin “Ora 7” ka folur gazetarja Diellza Berisha, e cila ka dhënë disa detaje, duke thënë se personat e përfshirë në këtë rast e kanë frekuentuar shpesh kafenenë në të cilën ka ndodhur vrasja.
“Thuhet që ata e kanë vizituar rëndom atë kafene dhe janë parë bashkë njëri me tjetrin, pasiqë kanë qenë miq të ngushtë për një kohë të gjatë. Thuhet që ka pasur një mosmarrëveshje mes tyre”, tha ajo.
Gazetarja Berisha gjithashtu zbuloi edhe disa nga dëshmitë e personave që ishin në atë kafene, në kohën kur ndodhi ngjarja.
“Dëshimtarët kishin dëgjuar edhe britmat kur ata kishin filluar të fjaloseshin mes vete dhe gjithçka kishte përfunduar me shkrepje plumbash”.
Mësohet se një nga personat që ndodhej në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë menjëherë për të ndihmuar të plagosurin.
“Njëri prej dëshmitarëve e ka dërguar të plagosurve në spital, para se Ekipet Emergjente dhe Policia të arrinin në vengjarje”, tha ajo.