‘‘40% e konsumatorëve në Kosovë mendojnë se cilësia e jetës sot është më e keqe se sa para vitit 2020’’, thuhet ndër tjerash në një hulumtim të ‘’Valicon’’. Hulumtimi në fjalë është kryer gjatë gushtit të këtij viti, kur përveç Kosovës ka përfshirë edhe shtetet si Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Serbia, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut. Në hulumtim shtohet se në pothuajse të gjitha tregjet, më shumë konsumatorë ndjejnë se cilësia e jetës së tyre është “më e keqe” sesa “më e mirë,”.
Mes tjerash, hulumtimi fletë edhe për çështjen e kursimeve. Aty theksohet se ka rënie të kursimeve, duke thënë se kjo mundësi është ‘’ndikuar rëndë’’.
‘’Aftësia për të kursyer para është ndikuar rëndë. Përqindja e atyre që arritën të kursejnë të njëjtën shumë si më parë është relativisht e ulët në të gjithë rajonin, duke arritur kulmin në 40% në Slloveni dhe duke rënë në vetëm 15% në Maqedoninë e Veriut. Vendet e tjera tregojnë këto përqindje: Kroaci (26%), Serbi (26%), Bosnje dhe Hercegovinë (23%), Kosovë (20%) dhe Mal të Zi (18%)’’, theksohet në hulumtim.
Po ashtu, pjesë e tematikës së hulumtimit është edhe çështja e inflacionit. Në këtë pikë, deklarohet se shqetësimi më i madh i konsumatorëve është pikërisht inflacioni, duke theksuar se nivelet më të larta të shqetësimit janë regjistruar në Kosovë me 70%.
Përveç kësaj, shqetësim në Kosovë mbetet edhe pasiguria politike.
‘‘INFLACIONI DHE PASIGURIA POLITIKE JANË SHQETËSIMET KRYESORE
Kur bëhet fjalë për shqetësimet e konsumatorëve, inflacioni mbetet shqetësimi kryesor në të gjithë rajonin. Nivelet më të larta të shqetësimit janë regjistruar në Kosovë (70%), Maqedoni të Veriut (70%), Bosnje dhe Hercegovinë (69%) dhe Kroaci (68%), ku shqetësimi për rritjen e kostos së jetesës është rritur me 8% që nga tremujori i dytë i vitit 2025.
Përveç inflacionit, stabiliteti politik përbën një tjetër shqetësim madhor. Në Serbi, shqetësimi për zhvillimet politike (58%) është pothuajse i barabartë me atë për inflacionin (60%), me një rritje të theksuar prej 9% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025. Edhe në Kosovë (54%) dhe Bosnje dhe Hercegovinë (40%), shqetësimet politike janë të larta.Në ndërkohë, shqetësimi për vlerën e pronës është përgjithësisht më i ulët, duke u luhatur nga 20% në Serbi deri në 34% në Maqedoninë e Veriut dhe 26% në Kosovë’’, thuhet në raport.
Valicon është kompani që bën hulumtime dhe kërkime për çështje të tregut e konsumatorëve, kompani e cila ofron kërkime tregu të personalizuara.