February 9, 2026
1 min read

Vdiqën tragjikisht në Itali, mblidhen mbi 75 mijë euro për kthimin e 4 trupave të familjes Kola në Shqipëri

Mbi 75 mijë euro janë mbledhur brenda dy ditësh në platformën GoFundMe për familjen Kola, e cila humbi jetën në mënyrë tragjike javën e kaluar në Itali, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit i çliruar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.

GoFundMe u hap nga Durim Kola, vëllai i Arti Kolës, 48 vjeç, një prej viktimave.

Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore.

Shuma e mbetur do të shërbejë për mbështetjen e familjarëve të viktimave.

Ndryshe, Prokuroria e Luccas ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sipas autoriteteve, kaldaja dyshohet se ishte e re dhe ishte instaluar nga vetë pronari i banesës.

Autoritetet po presin rezultatet e analizave toksikologjike për katër viktimat, të cilat pritet të jenë vendimtare për vijimin e hetimeve.

Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të kthehen në Shqipëri për lamtumirën e fundit.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop