Një vjedhje e rëndë ka ndodhur të shtunën në fshatin Lubizhdë të Malishevës, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në një shtëpi banimi, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Ngjarja siç merr vesh Sinjali ka ndodhur më 03.01.2026, në intervalin kohor 15:00–20:00.
Sipas deklarimit të viktimës, B. Z., gjatë kohës kur të gjithë anëtarët e familjes kanë qenë jashtë shtëpisë, persona të panjohur kanë hyrë me forcë përmes derës së ballkonit, duke demoluar disa dhoma brenda objektit.
Si pasojë e vjedhjes, nga shtëpia janë marrë: Rreth 11 mijë euro para të gatshme (kursime familjare), stoli ari në vlerë rreth 3 mijë euro, një pushkë gjuetie, një pistoletë, për të cilat ankuesi ka deklaruar se i posedon me leje, por për momentin nuk ka pasur kartelat përkatëse.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe krim-teknika, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.
Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë në zhvillim për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.