Ngjarja tragjike në Restelicë të Dragashit, ku djali dyshohet se ia mori jetën nënës së tij ishte tema kyçe edicionit të sotëm të Kosova Today në Klan Kosova.
I dyshuari thuhet se kishte probleme mendore dhe i njëjti kishte marrë tri aktgjykime dënuese për veprën “Dhunë në Familje”.
Avokati Gent Gjini, shprehu habinë se si ka mundësi që një person i tillë me precedentë penal dhe me çrregullime të lihet i lirë.
“Unë vlerësoj se ky rast duhet të jetë alarm, sepse paramendoni sot një person me të kaluar kriminale dhe çrregullime mendore, dhe të lihet në liri, të jetojë me nënën dhe të kryejë këtë akt, besoj që këtu përgjegjësia më shumë i bie institucioneve përkatësisht prokurorisë dhe gjykatës”, deklaroi Gjini.
Avokati tha se i njëjti ishte dashur që të dërgohej për trajtim në entet përkatëse shëndetësore.