Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, së fundmi njoftoi rreth nismës për krijimin e një grupi punues për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës.
Kjo iniciativë është prezantuar nga ministri në detyrë Xhelal Sveçla si një mekanizëm që do të analizojë modalitetet e funksionimit të kësaj force si agjenci e MPB-së.
Megjithatë, kjo nismë ka ngjallur debate të shumta në opinionin publik dhe tek ekspertët e sigurisë, sidomos për shkak të kohës kur është propozuar, në prag të zgjedhjeve.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, për Klankosova.tv ka shprehur skepticizëm dhe rezerva serioze lidhur me nevojën dhe funksionalitetin e një force të tillë.
Sipas tij, arkitektura aktuale e sigurisë në Kosovë bazohet në ndarjen e qartë të kompetencave ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Megjithatë, sfidat bashkëkohore, veçanërisht kërcënimet hibride, aktivitetet paramilitare dhe incidentet e armatosura si ai i Banjskës, kanë ekspozuar një ‘zonë të hirtë’ operacionale ndërmjet kompetencave konvencionale policore dhe atyre ushtarake. Për menaxhimin e këtyre situatave specifike, shumë shtete evropiane aplikojnë struktura me statut ushtarak, por me mision policor (forca xhandarmëri), si Xhandarmëria Kombëtare e Francës, apo Karabinierët në Itali”, thotë fillimisht Gashi.
Ai shton se në këtë aspekt, koncepti i një force të ndërmjetme nuk është apriori i pabazë në rrafshin teorik. Megjithatë, sipas tij, problematika kryesore qëndron te koha dhe mënyra e artikulimit të këtij projekti.
“Proklamimi i kësaj nisme në prag të ciklit elektoral ngre dyshime të bazuara mbi motivet reale dhe kredibilitetin strategjik të saj. Në mungesë të një përditësimi të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, të një analize të mirëfilltë të kërcënimeve dhe të një studimi të fizibilitetit operacional e buxhetor, kjo nismë rrezikon të reduktohet në një instrument të ‘sekuritizimit të diskursit publik’ për përfitime elektorale”, tha ish-ministri i Brendshëm.
Koncepti i Xhandarmërisë për retorikë patriotike
Gashi thekson se ekziston rreziku që koncepti i Xhandarmërisë të instrumentalizohet për efekte simbolike dhe retorikë patriotike, duke anashkaluar analizën e kostove.
Sipas tij, pa një kornizë të qartë, ky projekt mund të prodhojë mbivendosje kompetencash, paqartësi në zinxhirin komandues dhe siç tha, një militarizim të panevojshëm të sigurisë së brendshme.
Megjithatë, Gashi për Klankosova.tv vlerëson se në Kosovë aktualisht nuk ekziston nevoja reale për krijimin e një force të re të tillë dhe për këtë ka një arsye.
“Në kontekstin aktual, Kosova nuk ka nevojë për një strukturë të re institucionale. Policia e Kosovës i mbulon me sukses këto përgjegjësi përmes Departamentit të Njësive Speciale (si NJSI and NJSO) dhe Policisë Kufitare. Këto formacione tashmë ushtrojnë funksione të njëjta me ato të xhandarmërive evropiane në mjedise të rrezikshmërisë së lartë”, deklaroi ish-ministri.
Ai shton se krijimi i një agjencie të re, paralele, do të gjeneronte dualizëm kompetencash, përplasje ndërinstitucionale për juridiksion dhe shpërdorim të kotë të buxhetit shtetëror.
Racionaliteti strategjik, mendon ai, dikton që, “në vend të eksperimenteve me struktura të reja, fokusimi të jetë te fuqizimi logjistik, taktik dhe buxhetor i strukturave ekzistuese të Policisë së Kosovës”.
Politizimi i Xhandarmërisë
Një shqetësim tjetër serioz, sipas tij, është rreziku i politizimit të kësaj force. Gashi përmend rastin e Turqisë pas vitit 2016, ku xhandarmëria u vu nën kontroll të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv dhe u përdor për qëllime politike.
Ish-ministri thotë se nëse një forcë e tillë krijohet pa mekanizma të fortë të kontrollit demokratik dhe mbikëqyrjes parlamentare, ekziston rreziku që ajo të përdoret për interesa politike dhe jo për sigurinë e qytetarëve.
Po ashtu, ai kundërshton pretendimet se Xhandarmëria do të ndikonte ndjeshëm në luftimin e krimit. Sipas tij, krimi i organizuar, korrupsioni dhe krimi kibernetik nuk luftohen me forca të militarizuara, por me inteligjencë, hetime profesionale dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
“Po, rreziku është tejet i lartë. Në demokracitë në konsolidim, krijimi i forcave të militarizuara me varësi të drejtpërdrejtë nga pushteti ekzekutiv bart gjithmonë rrezikun e instrumentalizimit politik. Një shembull ilustrues dhe mjaft i prekshëm në këtë drejtim është Turqia pas përpjekjes për grusht shteti në vitin 2016. Në emër të eliminimit të elementeve rebele dhe rritjes së sigurisë kombëtare, qeveria turke ndërmori një ristrukturim rrënjësor të forcave të saj të sigurisë, veçanërisht të Xhandarmërisë Komanduese (Jandarma)”, thotë Gashi.
Ai është i mendimit se duke e kaluar këtë strukturë të militarizuar nga varësia e përbashkët me Forcat e Armatosura nën kontrollin e plotë dhe të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, “pushteti ekzekutiv arriti ta shndërronte atë në një instrument besnik të ruajtjes së regjimit”.
“Ky centralizim shërbeu për spastrimin e oponentëve politikë, shtypjen e zërave kritikë dhe konsolidimin e pushtetit personal, duke dëshmuar se si një forcë gjysmë-ushtarake mund të devijojë lehtësisht nga misioni kushtetues kur i nënshtrohet kontrollit partiak”, u shpreh ish-kreu i MPB-së.
Projekt me karakter elektoral
Në të njëjtën linjë me ish-ministrin Gashi është edhe ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, i cili e konsideron këtë nismë si një projekt me karakter elektoral dhe jo si nevojë strategjike të shtetit.
Veseli, për Klankosova.tv, thekson se krijimi i një organizate të tillë do të kërkonte analiza të thella ligjore dhe strategjike, si dhe koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me ShBA-në dhe NATO-n.
Sipas tij, arkitektura aktuale e sigurisë në Kosovë është ndërtuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe tashmë ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme për garantimin e sigurisë.
“Nisma për themelimin e një formacioni të ri paraushtarak, pra xhandarmërisë, konsideroj se është për konsum elektoral. Për themelimin e një organizate të tillë do të duhej t’i paraprijnë disa procese ligjore, duke filluar nga rishikimi i sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes, e më gjerë. Dhe çka është më e rëndësishmja, dakordanca me aleatët dhe NATO-n, a do të na lejohej diçka e tillë? Kur u krijua arkitektura e sigurisë së Kosovës me ShBA-në dhe aleatët, këto janë institucionet që i kemi sot. Deri këtu kemi ardhur si rezultat i analizave të shumta që janë bërë për nevojat e Kosovës, duke marrë parasysh të gjitha elementet”, deklaroi Veseli.
Ai përmend faktin se Kosova ka mbi 16 mijë pjesëtarë të policisë dhe FSK-së, si dhe praninë e NATO-s me rreth 5 mijë trupa.
Për këtë arsye, sipas tij, krijimi i një force të re do të ishte barrë shtesë për buxhetin dhe mund të ndikonte negativisht në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
“Kosova ka mbi 16.000 trupa policore dhe ushtarake që mjaftojnë për të siguruar lirinë e vendit, siç them zakonisht unë. Ne e kemi edhe NATO-n me 5.000 trupa, dhe atë pa pagesë. Krijimi i ndonjë njësie të re do të ishte veç barrë për buxhetin tonë. Pra, gjithçka deri këtu ka qenë në marrëveshje me Amerikën. Unë kam deklaruar para disa ditëve se nuk e besoj që do të na lejohet krijimi i xhandarmërisë”, u shpreh më tej ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli.
Xhandarmëria, mjet për mbrojtjen e elitës në pushtet
Ndërkaq, ish-ministri Gashi më tej potencoi se nëse një strukturë e tillë krijohet në Kosovë pa një mekanizëm të rreptë të mbikëqyrjes parlamentare dhe pa një sistem të qartë të “kontrollit dhe balancës” ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, sipas tij, rreziku i përsëritjes së skenarëve autokratikë është imediat.
Ajo mund të shndërrohet në, siç u shpreh, “një mjet për mbrojtjen e interesave të elitës në pushtet, duke cenuar rëndë paanshmërinë, departizimin dhe besueshmërinë publike që Policia e Kosovës e ka ndërtuar me dekada investim vendor dhe ndërkombëtar”.
Gashi tha se paraqitja e kësaj nisme si një “zgjidhje magjike” kundër kriminalitetit, është një ekzagjerim populist.
Efikasiteti i sistemit të sigurisë, sipas tij, nuk rritet duke shtuar numrin e agjencive, gjë që shpesh sjell burokratizim, mungesë koordinimi dhe fragmentim të informacionit, siç u shpreh, brutalisht duke dëmtuar efikasitetin, por përmes ngritjes së cilësisë së strukturave ekzistuese.
“Një forcë e tipit të xhandarmërisë është e orientuar drejt kontrollit fizik të territoreve të vështira dhe menaxhimit të turmave apo trazirave. Ndërkaq, krimi i organizuar transnacional, krimi kibernetik dhe korrupsioni i nivelit të lartë nuk luftohen me prezencë të armatosur në terren, por me kapacitete të avancuara të inteligjencës kriminale, hetuesi financiare të pavarur, teknologji moderne dhe bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar (si me Europol-in dhe Interpol-in)”, tha ai.
Xhandarmëria, mekanizëm për të anashkaluar kufizimet operative që FSK-ja ka në veri?
Ish-ministri tha se aleatët strategjikë të Kosovës, veçanërisht ShBA-ja dhe NATO, do ta prisnin këtë nismë me skepticizëm të theksuar dhe rezervë strategjike.
Politika e partnerëve perëndimorë në Kosovë siç tha ai, bazohet në parimin e mosdublimit të kapaciteteve të sigurisë.
“Fokusi i tyre mbetet implementimi strikt i Planit 10-vjeçar të Tranzicionit të FSK-së drejt një force ushtarake profesionale, plotësisht ndërvepruese me standardet e NATO-s. Në këtë kuadër, çdo devijim i burimeve financiare, njerëzore dhe logjistike drejt projekteve të reja si “Xhandarmëria” do të shihej si shpërndarje joracionale e kapaciteteve të limituara të shtetit dhe si faktor që ngadalëson konsolidimin e FSK-së. Për më tepër, aleatët insistojnë në një zinxhir të unifikuar dhe transparent të komandimit. Fragmentimi i arkitekturës së sigurisë me struktura të ndërmjetme do të perceptohej si një lëvizje e paanalizuar mirë, e nxitur nga konsumi i brendshëm politik, e cila mund të dëmtojë besimin reciprok strategjik”, u shpreh Gashi.
Ai thotë se ekziston premisa analitike se Qeveria mund ta projektojë “Xhandarmërinë” si një mekanizëm për të anashkaluar kufizimet operative që FSK-ja ka në veri të vendit, ku siç u shpreh, dislokimi i saj kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.
Duke e emërtuar formalisht si forcë të sigurisë së brendshme me mandat policor, ekzekutivi sipas Gashit mund të synojë angazhimin e saj në veri pa procedurat strikte që vlejnë për ushtrinë.
“Megjithatë, ky kalkulim paraqet rreziqe të larta gjeopolitike. Pavarësisht petkut juridik-civil, nëse kjo forcë do të ketë strukturë, doktrinë dhe armatim të rëndë të karakterit ushtarak, NATO dhe KFOR-i do ta interpretonin atë si përpjekje për të sfiduar status quo-në e sigurisë dhe marrëveshjet ekzistuese”, shprehet ish-ministri.
Sipas tij, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së thotë se KFOR-i mbetet autoriteti suprem për mjedisin e sigurt në Kosovë. Prandaj, thotë Gashi, “çdo vendosje unilaterale e një force të re gjysmë-ushtarake në veri, pa koordinim dhe pëlqim të plotë me aleatët perëndimorë, do të cilësohej si provokim taktik”.
“Kjo gjë jo vetëm që do të rriste tensionet në terren, madje edhe do të fuste Kosovën në një kurs të rrezikshëm përplasjeje diplomatike me partnerët e saj kryesorë të sigurisë”, deklaroi ish-ministri i Brendshëm.
Ushtarët e policët, çizmet e uniformës i blejnë me paratë e veta
E Veseli, nga ana e tij, ka kritikuar edhe gjendjen aktuale të institucioneve të sigurisë, duke theksuar se pjesëtarët e FSK-së dhe ata të Policisë shpesh detyrohen të sigurojnë vetë pajisje bazike si çizme dhe uniforma.
“Konsideroj se do të marrim qortim dhe se kjo do të paraqiste pengesë edhe në planin që veç ekziston për rrugën e përshpejtuar të anëtarësimit në NATO. Është fushatë zgjedhore dhe e kuptoj, por te siguria dhe mbrojtja do të duhej të ishim më seriozë dhe larg duart e politikës. Ushtarët e FSK-së dhe policia me paratë e tyre blejnë çizme dhe uniforma, andaj e gjitha, mendoj se është veç fushatë, pa mundësi dhe përkrahje për diçka të re. Nuk është serioze”, deklaroi ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli.
Çka është Xhandarmëria dhe si funksionon nëpër vende tjera?
Xhandarmëria konsiderohet një forcë sigurie me organizim ushtarak, por me kompetenca policore, e cila përdoret kryesisht për ruajtjen e rendit publik, sigurisë kombëtare dhe menaxhimin e situatave të ndjeshme të sigurisë. Në varësi të sistemit shtetëror, ajo mund të funksionojë nën Ministrinë e Brendshme ose si pjesë e forcave të armatosura.
Një numër i madh shtetesh në Evropë dhe më gjerë kanë struktura të tilla të sigurisë. Edhe Serbia posedon Xhandarmërinë e saj, e cila operon në kuadër të policisë dhe angazhohet në operacione të rendit dhe sigurisë.
Modele të ngjashme ekzistojnë edhe në vendet anëtare të NATO-s. Një ndër shembujt më të njohur është Xhandarmëria Kombëtare e Francës, e cila ka status ushtarak dhe ushtron kompetenca të gjera në raport me sigurinë publike dhe zbatimin e ligjit. Përveç detyrave brenda territorit francez, ajo bashkëpunon me policinë dhe ushtrinë në operacione të ndryshme, përfshirë menaxhimin e krizave, misionet ndërkombëtare paqeruajtëse dhe ndërhyrjet në zona konflikti.
Forca të këtij tipi përdoren shpesh në situata ku kërkohet kombinim i kapaciteteve policore dhe ushtarake, sidomos në raste trazirash, krizash apo operacioneve me rrezik të lartë.
Brenda strukturave të NATO-s, koncepti i xhandarmërisë lidhet me atë që njihet si “polici e stabilitetit”, një mekanizëm që synon ruajtjen e rendit dhe sigurisë në zona të ndjeshme apo pas konflikteve.