Jude Bellingham raportohet se është një nga pesë futbollistët e Real Madridit që nuk po ndihen mirë me trajnerin Xabi Alonso. Në këtë grup përmenden edhe Vinicius Junior, Federico Valverde, Rodrygo si dhe Endrick.
Sipas mediave spanjolle, brenda klubit madrilen thuhet se janë tashmë të njohur me pakënaqësitë e Viniciusit, i cili prej ceremonisë së Ballon d’Or 2024 ka krijuar disa situata të pakëndshme jashtë fushe. Madje, sipas burimeve të njëjta, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë mundësinë e largimit të tij nëse sjellja e tij vazhdon të shkaktojë probleme.
Alonso, i cili dikur ka qenë vetë lojtar i Real Madridit, njihej për disiplinën dhe profesionalizmin e tij gjatë karrierës si futbollist. Edhe si trajner ai krijoi reputacion të fortë te Bayer Leverkusen, duke u vlerësuar për punën e tij.
Megjithatë, tensionet aktuale në dhomat e zhveshjes dhe pakënaqësitë e disa prej yjeve të skuadrës mund të krijojnë presion mbi Alonson, duke e vënë në rrezik pozicionin e tij në të ardhmen nëse situata nuk normalizohet.