Gazetari Milaim Zeka dje ka publikuar një audio-incizim të një bisede mes ministrit në detyrë për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, dhe një personi të quajtur Milan Dabiç.
Sipas Zekës, ata dëgjohen qartë teksa flasin për pagesa, plane për shpenzime parash dhe lidhje me individë e kompani të caktuara.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ai ka thënë se do të vazhdojë me publikimin edhe të audio-incizimeve të tjera.
“Ajo çka është pozitive dhe është ekskluzive për emisionin e juaj është se Prokuroria Speciale ka një interesim, e ka një lëvizje për t’i marrë materialet që i kam publikuar. Vetëm një pjesë mbrëmë e kam publikuar dhe sot do të vazhdojmë me pjesën tjetër”.
“Ka edhe shqiptarë që flasin me Rashiqin, për hir të korrektësisë dhe të asaj që janë zgjedhjet me 12 tetor unë kam vendosur që të gjitha materialet t’ia dorëzojë Prokurorisë Speciale me datën 13 ditën e hënë, nuk dua të them se po ndikojmë në ne fushatë. Ajo çfarë më ka shokuar dhe vazhdon të më shokojë me këtë Qeveri në detyrë është hajnia”, tha Zeka.