Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, sot e ka pranuar ftesë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.
Osmani para mediave u shpreh se ky është një zhvillim historik për Kosovën.
“Ky është një zhvillim i një rëndësie historike për Kosovën. Në radhë të parë për shkak se kjo është një organizatë ndërkombëtare, është anëtarësim i Kosovës në një organizatë ndërkombëtare dhe atë si një ndër anëtarët themelues të kësaj organizate. Në radhë të dytë se kjo organizatë themelohet nga SHBA. Dhe në radhë të tretë për shkak se SHBA kanë përzgjedhur pikërisht Kosovën në mesin e disa shteteve që janë anëtare themeluese, duke pasur parasysh përvojën e Kosovës në shtetndërtim, në ndërtim të paqes, aleancave, përvojë kjo që do të mund të ndihmojë në ndërtimin e paqes edhe në vendet e tjera të botës”, deklaroi ajo para mediave.
Ajo vlerësoi se kjo iniciativë e re ndërkombëtare ka potencial të jetë një nga më të suksesshmet në historinë moderne, duke e lidhur drejtpërdrejt me lidershipin e presidentit amerikan.
“Dua ta përmend faktin se kam besim të plotë që kjo organizatë ndërkombëtare do të jetë një ndër organizatat më të suksesshme në historinë moderne të botës. Në radhë të parë për shkak të lidershipit të guximshëm dhe vizionit të presidentit Trump dhe SHBA. Dhe në radhë të dytë për shkak se bazohet në vlerat më fundamentale të njerëzimit, pra në rëndësinë e paqes për të arritur gjithçka tjetër, sepse pa paqe gjithçka tjetër është e pamundur për shtete, kombe dhe popuj. Prandaj me krenari të madhe kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump”, deklaroi Osmani.
E para e shtetit të Kosovës, sqaroi po ashtu se pjesëmarrja e Kosovës në këtë organizatë nuk përfshin detyrime financiare.
Sipas saj, përfshirja e vendit tonë paraqet jo vetëm një njohje të përvojës së saj në shtetndërtim dhe paqe, por edhe një mundësi për të kontribuar në promovimin e stabilitetit dhe paqes në nivel global.
“Një gjë e tillë nuk është përmendur në dokumentacionin që na është dërguar. Ju e keni parë edhe vetë ftesën, por edhe në dokumentacionin përcjellës nuk përmendet çështja e ndonjë pagese. I lihet shteteve që këtë gjë ta bëjnë në mënyrë vullnetare. Për të gjitha çështjet jemi në koordinim me SHBA. Kontributi i Kosovës do të jetë domethënës për shkak të përvojës sonë në ndërtimin e paqes”, deklaroi Osmani.