80 raste të dyshimta janë dërguar në Prokurori gjatë vitit 2025 nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).
Ndërsa, prej të gjitha këtyre rasteve janë ngritur vetëm tri aktakuza.
Kështu bëri të ditur auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca gjatë diskutimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Kurse, nga viti 2018 janë dërguar mbi 500 raste te Prokurori i Shtetit.
Spanca ka treguar sfidat që Zyra e Auditorit përballet e që njëra prej tyre është për rastet që kanë evidentuar shkelje.
Arben Mustafa, kryetar i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, e pyeti auditoren se cila është arsyeja që janë ngritur kaq pak aktakuza, duke shtuar se është kjo neglizhencë e Prokurorisë apo ka ndodhë ndonjë gabim nga Zyra e Auditorit.
“Më bën përshtypje numri i rasteve që keni dërguar në prokurori dhe numri i vogël i rasteve të cilat janë proceduar. Thatë që keni dërguar mbi 80 raste të dyshimta në prokurori, por vetëm tre raste kanë aktakuza. A flet kjo për neglizhencë nga prokuroria, apo ndoshta ka diçka më tepër të bëjë me vetë Zyrën Kombëtare të Auditimit, në mënyrë që rastet të cilat i dërgoni në prokurori të jenë më të kompletuara, me dyshime më të bazuara, më të artikuluara, në mënyrë që rastet të cilat identifikohen mos të mbeten pa u adresuar nga drejtësia?”, tha Mustafa.
E, në përgjigjen e saj Spanca tha se vazhdimisht kanë bashkëpunim me prokurorinë dhe se kur dërgohen raste kërkohen informata lidhur me rastet.
“Lidhur me pyetjen e parë sa i përket rasteve të cilat kemi dërguar në prokurori, në fakt janë më shumë se 500 raste që nga viti 2018 dhe ne kemi marrë një raport nga prokurori i shtetit vetëm për 143 raste. Domethënë po flasim për raste shumë të thjeshta të cilat i kemi dërguar dhe prej tyre vetëm për tre raste kanë ngritë aktakuzë. 80 raste janë vetëm për vitin 2025 raport të cilat i kemi publikuar në vitin 2025, e që kryesisht zbatimi i tyre ka të bëjë me vitin 2024.
Sa i përket asaj që po me, nëse ne dërgojmë raste të cilat nuk janë të argumentuara mirë, mund të jetë mos dërgohet edhe ajo. Ne e kemi adresuar këtë çështje duke punësuar zyrtarë juridikë më shumë, domethënë kemi katër zyrtarë juridikë të cilët merren domethënë në mënyrë pak më aktive në këtë aspekt dhe ne i shqyrtojmë po me secilin rast.
Por unë vetëm po e përmend nëse krahasojmë në Shqipëri, për rastet e njëjta, për rastet e njëjta prokuroria atje, apo SPAK-u, ngre aktakuzë. Për shembull për rastet kur jepet leja e ndërtimit në kushtet, domethënë ndërtimore apo jo në përputhje me kushtet ndërtimore. Raste të tilla ne kemi pasë domethënë dhe kemi publikuar raportin për Komunën e Prishtinës, pastaj ka qenë raporti për Komunën e Lipjanit, tash jemi për lejet e ndërtimit në Komunën e Ferizajt, por që domethënë nuk kemi pasë një progres në këtë aspekt.
Ne kemi bashkëpunim me prokurorin, kërkojmë informata, domethënë pas dërgimit të rasteve tona, rastet tona i përcjellim te prokuroria themelore në rajon. Secili prokuror pastaj kërkon informata për rastet e cilat ata i shohin të nevojshme. Komunikimi është i mirë, i japim të gjitha sqarimet e nevojshme, por megjithatë domethënë Zyra Kombëtare e Auditimit nuk mund të luajë rolin e hetuesit, për shkak se nuk e ka atë mandat. Dhe për këtë kërkojmë domethënë nga prokurori që ta hetojë rastin më tutje.
Ka pasë edhe raste të tilla të tjera të cilat ne i kemi vërejtur, domethënë që është dashtë të hetohen më tutje, por që rastet janë mbyllur. Por që në asnjë rrethanë, po me për shkak të bashkëpunimit që duhet ta kemi me prokurorin, sepse qëllimi është të shtyjmë proceset përpara dhe mos ta akuzojmë njëri-tjetrin, ne kemi organizuar këto punëtori për t’i parë domethënë dallimet tona që i kemi edhe shqetësimet që i ka prokurori.
Sa i përket kontratave të negociuara pa publikim, këto kontrata auditohen në secilën organizatë buxhetore. Për shkak të rrezikut që bëjnë, domethënë transparencës jo të mjaftueshme, janë pjesë e secilit auditim. Dhe çështjet të cilat kanë rezultuar nga këto kontrata, mos harroni se kontrata si e tillë është e ligjshme në rrethana kur rastet janë emergjente. E në rrethanat të cilat nuk kanë qenë emergjente dhe nuk kanë qenë të bazuara, këto janë reflektuar në raportet e auditimit.
Por që edhe në raportin vjetor të auditimit emërtimi është procedurë e gabuar e prokurimit e cila është shfrytëzuar. Domethënë nuk është dashtë me shku me negocim, por është dashtë me shku me procedurë të hapur. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka nxjerrë një raport domethënë për vitin 2025 që unë po i referohem për shkak se është publik dhe është i nxjerrë nga sistemi e-prokurimi, dhe fatmirësisht numri i kontratave me negocim ka rënë në mënyrë drastike në 4.5%. Kështu e thotë raporti i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2025.
Nëse i përfshijmë edhe aneks-kontratat, sepse aneks-kontratat zakonisht lidhen përmes procedurës me negocim, kjo përqindje mbërrin diku 6.4%. Domethënë nga 20% e cila ka qenë në të kaluarën apo 17%, ka rënë në 12% dhe sipas raportit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kjo përqindje është në 4.5%. Natyrisht po me këto janë subjekt i auditimit”, tha Spanca.