Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas polemikave të kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për rrymën.
Tahiri tha se Haxhiu është njeriu i fundit që mundet me i fol dikujt për gjuhë dhe veprime parlamentare, derisa ajo ka shkelur secilin akt të legjislativit sa ka qenë deputete. Madje ai përmendi edhe hedhjen e gazit dhe ofendimet që sipas tij ia ka bërë ish-kryekuvendarit, Kadri Veseli.
Ai i kërkoi kryeparlamentares të mos provokojë, pasi herën tjetër nuk do të largohen nga foltorja.
Tahiri-Haxhiut pas polemikave me Haradinajn: Mos provoko se herën tjetër qëndrojmë në foltore
“Kryetarja e Kuvendit është njeriu i fundit që mundet me i fol dikujt për gjuhë dhe veprime parlamentare. Ajo ka shkelur secilin akt që duhet me shkel një deputet, duke filluar prej gazit dhe ofendimet më të mëdha që i kanë ndodhur ndonjë kryetari të Kuvendit, në këtë rast kryetarit Veseli. Duhet me pas shumë kujdes mos me provoku situata, për shkak se herën tjetër do të rrijmë në foltore dhe nuk do të largohemi. Duhet me pas kujdes për ta ruajtur frymën parlamentare”, tha ai.
Haxhiu dhe Haradinaj patën një polemikë në seancën e sotme, pasi kryetarja e Kuvendit disa herë i kërkoi shefit të AAK-së të ketë kujdes në gjuhën që përdor gjatë fjalimit të tij.