Kandidati i AAK-së për deputet, Pal Lekaj, ka publikuar një mesazh që ia ka dërguar kryetari i partisë, Ramush Haradinaj.
Në mesazh, lideri i AAK-së thotë se Lekajn e ka njohur që nga koha e luftës, kur vëllai i tij Shkelzeni, dhe shumë bashkëluftëtarë u trajtuan dhe shëruan nga ai.
“Me Pal Lekajn jam njohur në kohët më të vështira të jetës sonë, në kohën kur vëllai Shkelzeni i plagosur dhe bashkëluftëtarë tjerë gjetën shërimin dhe kujdesin dhe u kthyen në vijat e luftës nga Pali”.
“Gjatë rrugëtimit jetësor, ai shërbeu si kryetar komune dhe i kreu me sukses detyrat e tij. Pali kreu me sukses detyrat e deputetit, të ministrit e shumë projekte infrastrukturore, deri në atë kohë të paimagjinueshme, e panë dritën”.
“E meriton votën e juaj, Pal Lekaj. Ju lutem, votojeni”, tha Haradinaj në mesazhin e tij.
E vetë Lekaj e falënderoi Haradinajn, të cilin e quajti lider dhe mik.
“Kryetar, faleminderit nga zemra për gjithë miqësinë për gati tre dekada. Është nder i madh i imi të garoj në listën që ju ka juve në krye. Gjithmonë, me Aleancën, për projektet e mëdha që na presin për Kosovën. Na priftë e mbara krah njëri-tjetrit”, shkroi Lekaj.