January 16, 2026
1 min read

PDK: Gjykimi në Hagë të përmbyllet me drejtësi dhe liri për çlirimtarët

Pas njoftimit të Gjykatës Speciale se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që mbi pesë vjet, Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar edhe një herë nevojën që ky proces, i shoqëruar me problematika serioze, të përmbyllet me drejtësi.

Përmes një deklarate për media, PDK-ja thekson se ky proces është karakterizuar me zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme mbi standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

“Këto rrethana kanë cenuar perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe kanë rënduar padrejtësisht mbi çlirimtarët dhe ish-udhëheqësit e shtetit tonë, të cilët tashmë kanë kaluar një periudhë të gjatë në paraburgim”.

PDK-ja vlerëson se në këtë fazë përmbyllëse “është thelbësore që gjykimi të përqendrohet ekskluzivisht te drejtësia e paanshme, te faktet dhe te provat, duke u larguar nga çdo qasje politike, interpretuese apo spekulative që e ka shoqëruar këtë proces gjatë këtyre pesë viteve”.

“Dëshmitarët kyç në këtë proces gjyqësor kanë hedhur poshtë në mënyrë të qartë pretendimet kryesore të aktakuzës, duke rrëzuar çdo dyshim mbi fajësi individuale, grupore apo komanduese. Këto dëshmi kanë kontribuar ndjeshëm në sqarimin e rrethanave faktike dhe kanë rrëzuar bazën e akuzave të prokurorisë.

Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, paqes dhe drejtësisë, duke besuar se vetëm një vendim i drejtë dhe profesional mund të kontribuojë në mbylljen e këtij kapitulli të rëndësishëm për Kosovën, drejtësinë ndërkombëtare dhe të ardhmen e rajonit tonë”, thuhet në deklaratën e këtij subjekti politik.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop