Misioni i KFOR-it në Kosovë ka realizuar një projekt mbështetës për Stacionin e Zjarrfikësve në Pejë, duke i dhuruar një kamion të ri të pajisur me sistem modern për shuarjen e zjarreve.
Projekti u zbatua nga ushtarët italianë të Ekipit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC), ndërsa ceremonia e dorëzimit u drejtua nga komandanti i RC-W, kolonel Giuseppe De Blasi, dhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës, Shefki Abdullahu.
Automjeti i ri pritet të rrisë kapacitetet operacionale të zjarrfikësve në Pejë dhe të përmirësojë mundësitë e reagimit në rastet e zjarreve dhe emergjencave të tjera.
Përmes kësaj mbështetjeje synohet të forcohet siguria e qytetarëve dhe të përmirësohen shërbimet emergjente në nivel lokal.
KFOR-i ka theksuar se projekte të tilla janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për bashkëpunim me institucionet dhe komunitetet lokale në Kosovë.
Sipas misionit, iniciativa të tilla synojnë të sjellin përfitime për të gjithë qytetarët, pa dallime, përmes mbështetjes së kapaciteteve dhe shërbimeve që kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme.