January 16, 2026
2 mins read

Gjykata veçon procedurën ndaj Xhelal Sveçlës në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend

Gjykata ka vendosur ta veçojë procedurën penale ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në rastin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018, ndërsa shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar ndaj ish-deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Drita Millaku.

Vendimi u mor pasi Sveçla edhe në seancën e sotme nuk u paraqit në gjykatë. Gjyqtari i rastit, Sabit Sadikaj, tha se i pandehuri ka njoftuar gjykatën për mungesën e tij përmes emailit, duke sqaruar se ndodhet jashtë vendit. Ai theksoi se janë plotësuar kushtet ligjore që seanca e shqyrtimit gjyqësor të vazhdojë me të pandehurit e tjerë.

“Mungesën e ka arsyetuar, i ka dërguar gjykatës email që gjendet jashtë vendit. Pra janë plotësuar kushtet e seancës së shqyrtimit gjyqësor që të vazhdojë me të pandehurit e tjerë”, tha ai.

Avokati i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Laur Preni, kërkoi nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim për faktin se klienti i tij mban një detyrë me përgjegjësi të lartë shtetërore. Ai tha se për shkak të funksionit që ushtron, Sveçla jo gjithmonë mund të jetë prezent apo i gatshëm t’u përgjigjet ftesave të gjykatës.

“Kërkoj nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim për faktin se i mbrojturi im mban një detyrë me përgjegjësi të lartë si ministër në detyrë i Punëve të Brendshme dhe jo çdo herë mund të jetë prezent apo i gatshëm që t’u përgjigjet ftesave nga gjykata”, tha ai.

Prokurori i rastit, Valdrin Krasniqi, deklaroi se Prokuroria nuk e kundërshton vendimin e gjykatës për veçimin e procedurës ndaj Sveçlës, duke vlerësuar se një vendim i tillë i kontribuon efikasitetit të procedimit të mëtejmë të kësaj çështjeje penale.

“Nuk e kundërshtojmë vendimin e gjykatës, duke vlerësuar që kjo i kontribuon efikasitetit të procedimit të mëtejmë të kësaj çështjeje penale”.

Ndërkaq, i pandehuri Salih Zyba e kundërshtoi veçimin e procedurës ndaj Sveçlës, duke shprehur qëndrimin se ndarja e çështjes nuk është e drejtë.

Kundër këtij vendimi u shpreh edhe mbrojtja e Fitore Pacolli-Dalipit. Avokati i saj, Lavdrim Salihu, tha se në kuptim të provave rasti nuk mund të trajtohet si i ndarë, duke shtuar se ndarja e lëndës do të rezultonte në vështirësim të mbrojtjes efektive për palët. Ai theksoi se vepra penale nuk i afrohet parashkrimit as pas tetë vitesh dhe, sipas tij, parimi i efikasitetit nuk cenohet nga vazhdimi i përbashkët i procedurës.

“E kundërshtoj për shkak se në kuptim të provave, nuk mund t’i cilësojmë si raste të ndara, duke shtuar këtu faktin se një ndarje e serisë së lëndës do të rezultonte në vështirësim të një mbrojtjeje efektive për palët. Konsideroj se për shkak se vepra penale nuk arrin parashkrimin edhe për 8 vite, nuk cenohet parimi i efikasitetit në procedurë”, tha ai.

I pandehuri Salih Zyba kërkoi që seanca të shtyhet, duke arsyetuar se mbrojtja nuk i posedon të gjitha shkresat e lëndës.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop