January 16, 2026
1 min read

Kurti i njofton ambasadorët rreth zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjetet

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, zhvilloi sot një takim me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë.

Gjatë takimit, ata i informuan të pranishmit për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe për masat që institucionet e Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të tyre.

“Faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi për qytetarët dhe vizitorët, përmes materialeve informuese në pikat kufitare, fushatave mediatike, sesioneve informuese dhe linjave telefonike. Kjo fazë do të zgjasë deri më 15 mars 2026, kur do të fillojë zbatimi i plotë i ligjeve, me synim lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, thuhet në një njoftim të zyrës për media të Kurtit.

Po ashtu, ai i njoftoi ambasadorët për nevojën e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate, në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke marrë parasysh shqetësimet e komunitetit joshumicë serb në Kosovë.

Në fund të takimit, Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik.

Latest from Blog

Go toTop