January 16, 2026
2 mins read

Personi që raportoi se e keqtrajtoi Policia e Kosovës në veri, denoncoi rrejshëm

Inspektorati Policor i Kosovës ka dalë me njoftim për hetimin dhe verifikimin e pretendimeve për keqtrajtim nga zyrtarët policorë në Leposaviq, incident ky i raportuar para mesnatës së 13 janarit, tek Ura e Bistricës.

Denoncimi i qytetarit që e akuzoi Policinë, pas veprimeve të ndërmarra doli të jetë lajmërim i rremë, për çka është iniciuar rasti.

“Pas analizimit të provave dhe video-incizimeve është vërtetuar se të njëjtat nuk pasqyronin pretendimet e palës dhe se zyrtarët policorë me asnjë veprim nuk dyshohej se kishin tejkaluar autorizimet e tyre apo përdorur forcën.

Nga procesi i analizimit të video incizimeve hetuesit e IPK-së kanë vërejtur se  pretendimet e ankuesit janë të sajuara dhe të njëjtat i janë paraqitur prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i cili ka kërkuar që ndaj ankuesit tani i dyshuar të  iniciohet rast  dhe hetim penal  me dyshimin për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë.” – njoftoi IPK.

Ndryshe, raportimi i tij ishte se zyrtarë të Policisë së Kosovës e kishin ndaluar në një pikë kontrolli derisa ishte duke drejtuar një automjet të markës Audi A4 (me targa të Republikës së Serbisë) dhe se i njëjti kishte brenda veturës së tij edhe dy pasagjerë.

“Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar ankuesi në cilësinë dëshmitarit në prezencën e avokatit të tij mbrojtës ku i njëjti ka deklaruar se gjatë kontrollit nga zyrtarë të Policisë së Kosovës ishte keqtrajtuar dhe goditur nga zyrtarët policorë. I njëjti ka potencuar para hetuesve të IPK-së se si pasojë e këtij keqtrajtimi  kishte pësuar lëndime prapa në qafë, në bërrylin e majtë, në dorën e djathtë dhe në këmbë nga zyrtari policor i cili e kishte bërë kontrollin sipërfaqësor në trup dhe për këtë ka kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri. Sipas tij, njëri nga zyrtarët policor e ka goditur edhe shokun e tij me kondak të armës së gjatë në këmbë.

Hetuesit e IPK-së në kuadër të veprimeve hetimore dhe të procesit të verifikimit të pretendimeve të ankuesit kanë siguruar prova duke përfshirë edhe video incizim nga kamerat e sigurisë që kanë mbuluar me pamje vendin ku është kryer ndalesa në pikën e kontrollit nga zyrtarët policorë.”

Latest from Blog

Go toTop