January 21, 2026
1 min read

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së dhe ish i burgosuri politik, Esat Kurtaliqi

Është ndarë nga jeta veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Esat Kurtaliqi, njëherësh ish i burgosur politik.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili nëpërmjet një telegrami ngushëllimi, bëri të ditur se Kurtaliqi ishte punonjës shumëvjeçar në Fabrikën e Tubave në Ferizaj.

Me këtë rast, Aliu i shprehu ngushëllime të sinqerta familjes Kurtaliqi, bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve si dhe të gjithë të njohurve të të ndjerit.

“Me dhembje e pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të të ish të burgosurit politik, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, punonjësit shumëvjeçar në Fabrikën e Tubave në Ferizaj, baba i 4 bijve të tij veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëqytetarit tonë, Esat Kurtaliqi. Vepra, kontributi e sakrifica i tij për lirinë, shtetin e shoqërinë do të mbeten të pashlyeshme ndër breza si shembull i atdhetarisë, përkushtimit njerëzor e profesional. Ngushëllime të sinqerta familjes Kurtaliqi, bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve si dhe të gjithë të njohurve të të ndjerit. Shpirti i tij u prehtë në parajsën e paskaj”, mbyllet telegrami i ngushëllimit.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop