Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka kritikuar Qeverinë për rritjen e çmimeve, duke vlerësuar se inflacioni po rëndon veçanërisht mbi familjet me të ardhura të ulëta.
Duke folur në emisionin “DPT te Fidani”, Mustafa ka thënë se rritja e inflacionit po ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, sidomos te kategoritë më të cenueshme ekonomikisht.
Sipas tij, familjet e varfra detyrohen të shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqime dhe produkte bazike, duke u lënë pak ose aspak mjete financiare për nevoja të tjera.
Ai ka theksuar se përqindja e të ardhurave që shpenzohet për ushqim është më e lartë te familjet me të ardhura të ulëta, çka e bën rritjen e çmimeve edhe më të vështirë për to.
“Sa më të ulëta që janë të ardhurat e një familjeje, përqindja e të ardhurave që shkojnë në mallra bazike, në ushqim, është më e madhe. Domethënë, nëse mesatarisht për një familje shkojnë 60% e të ardhurave në ushqim, për një familje të varfër shkojnë edhe më shumë dhe nuk mbetet asgjë tjetër”, ka deklaruar Mustafa.
Deputeti i PDK-së ka vënë në pah kështu vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet në Kosovë, në kushtet e rritjes së kostos së jetesës.