January 22, 2026
1 min read

28 vjet nga sulmi i dytë i Serbisë në familjen Jashari

Sot janë bërë 28 vjet nga sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.

Në vitin 1998-të, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë (Skenderaj), rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat u drejtuan drejt Kullës së Jasharëve për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Ky aksion i policisë së Serbisë ndaj familjes së Shaban Jasharit, erdhi plot 6 vite pas aksionit të 30 dhjetorit të vitit 1991.

Sulmi i tretë i Serbisë ndaj familjes Jashari ndodhi vetëm një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, mijëra policë dhe ushtarë të Serbisë e kryen aksionin e tretë dhe më fatalin në Prekaz, duke i vrarë 20 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, nga 59 sa u vranë gjithsej ato ditë në Prekaz.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, njofton se sot mban homazhe në orën 10:00, në Prekaz, pranë Kompleksit Memorial.

“Në nderim të datës 22 janar 1998 kur forcat serbe sulmuan për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz, ngjarje kjo që shënoi një vendim historik të qëndresës, ku përballë dhunës dhe rrezikut familja zgjodhi të mos largohej nga shtëpia dhe trualli i vet, duke i treguar botës se shqiptarët nuk braktisin kurrë tokën e tyre, OVL UÇK fton familjet e dëshmorëve, bashkëluftëtarët dhe qytetarët që të marrin pjesë për homazhe në orën 10:00, në Prekaz, pranë Kompleksit Memorial”, thuhet në njoftim.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop