January 22, 2026
1 min read

Dogana sekuestron 237 mijë pako të paligjshme të cigareve, dëmi potencial fiskal 340,000 euro

Dogana e Kosovës, përmes Zyrës Doganore në Prishtinë, ka realizuar një kontroll të detajuar doganor ndaj një dërgese të ardhur nga Turqia.

Gjatë këtij kontrolli, sipas njoftimit për media, zyrtarët doganorë kanë zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 237,000 copë/pako për ambalazhim të 20 cigareve, të cilat mbanin mbishkrimin “DRINA”.

“Malli nuk ishte i deklaruar në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi dhe dyshohet se kishte për qëllim përdorimin për prodhim ose paketim të produkteve të duhanit në kundërshtim me dispozitat ligjore, me ç’rast efekti në parandalim nga humbjet potenciale fiskale është rreth 340,000 euro”, ka njoftuar Dogana.

Sipas Doganës, janë ndërmarrë menjëherë veprimet procedurale përkatëse, përfshirë sekuestrimin e mallit dhe inicimin e procedurave administrative kundërvajtëse dhe hetimore, në bashkëpunim me institucionet kompetente. 

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop