Një vit pas shkurtimeve të ndihmës humanitare amerikane, rajoni verior i Tigrayt në Etiopi po përballet me një krizë të thellë urie dhe vdekjesh, ndërsa mbështetja ndërkombëtare mbetet minimale.
Në fshatin Hitsats, pranë kufirit me Eritrenë, banorët thonë se ndihma humanitare është pothuajse e padukshme. Sipas organizatave humanitare, deri në 80 për qind e popullsisë së Tigrayt ka nevojë për ndihmë emergjente ushqimore dhe mjekësore.
Pas ardhjes në pushtet të presidentit amerikan Donald Trump, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), dikur burimi më i madh i ndihmës humanitare për Etiopinë, pësoi shkurtime drastike, duke lënë boshllëqe të mëdha në financimin e ndihmave.
Organizata Mjekët pa Kufij ka paralajmëruar se shkurtime të tilla kanë kosto katastrofike njerëzore, duke reduktuar qasjen në shërbime shëndetësore, ujë të pastër dhe ushqim, veçanërisht për komunitetet më të cenueshme.
Autoritetet lokale në Hitsats raportojnë se ndihmat janë të pamjaftueshme dhe se vdekjet nga uria janë shtuar. Sipas tyre, shumë punonjës humanitarë nuk janë paguar prej muajsh, ndërsa disa zyra të Programit Botëror të Ushqimit janë mbyllur për shkak të mungesës së fondeve.