January 29, 2026
1 min read

Rrëzohet ankesa e Pjetër Shalës, mbetet në fuqi dëmshpërblimi prej 208 mijë eurosh

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka rrëzuar apelin e Pjetër Shalës kundër urdhrit për zhdëmtim, duke lënë në fuqi vendimin e Trupit Gjykues.

Ky njëkohësisht është edhe vendimi i parë të DhSK-së mbi apelin kundër urdhrit për zhdëmtim.

Sipas DhSK-së, “Paneli i Apelit la në fuqi urdhrin për zhdëmtim të Trupit Gjykues kundër z. Shala pas shpalljes së tij fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme”.

Në procesin e zhdëmtimit morën pjesë tetë viktima, të cilat kërkuan kompensim.

“Më 29 nëntor 2024, Trupi Gjykues urdhëroi z. Shala të paguajë shumën prej 208,000 euro si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material që pësuan viktimat pjesëmarrëse”, theksohet në komunikatë.

Apeli i Shalës përmbante pesë pika, përmes të cilave ai pretendonte gabime në interpretimin e ligjit, në vlerësimin e provave dhe në përcaktimin e përgjegjësisë së tij për zhdëmtim. Ai gjithashtu kishte kërkuar që “Paneli i Gjykatës së Apelit të pezullonte shqyrtimin e apelit kundër Urdhrit për Zhdëmtim” deri në përfundimin e apelit kundër verdiktit të fajësisë.

Megjithatë, Paneli i Apelit i rrëzoi të pesë pikat duke mos konstatuar gabime në interpretimin e ligjit apo në vlerësimin e provave prej Trupit Gjykues.

Po ashtu, u konstatua se kërkesa për pezullim ishte e tejkaluar, pasi aktgjykimi i apelit lidhur me themelësinë ishte lëshuar më 14 korrik 2025. Sipas Panelit, “procesi i zhdëmtimit nuk e dëmtoi z. Shala, as nuk shkeli të drejtën e tij për procedim të drejtë dhe të shpejtë”.

Latest from Blog

Theret me thikë një nxënëse në Pejë

Një nxënëse është therur me thikë para pak çastesh në Pejë. Burimet e IndeksOnline kanë thënë se rasti ka ndodhur në stacionin e autobusëve në Pejë. Viktima është nisur me urgjencë drejt
Go toTop