Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka nisur diskutimin për situatën në Kosovë, ku në fokus janë zhvillimet politike, siguria, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe mandati i misionit të UNMIK-ut.
Kosovën në këtë mbledhje po e përfaqëson zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Ndërkaq, përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka prezantuar raportin e fundit për Kosovën, i cili përfshin periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2026.
Gjatë fjalimit të tij, Due ka trajtuar edhe çështjen e Dhomave të Specializuara në Hagë, vendimin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), protestat e organizuara në Kosovë dhe ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi.
Ai ka përmendur aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-komandantëve të tjerë, duke theksuar se pas vendimit janë zhvilluar protesta, shumica e të cilave, sipas tij, kanë qenë paqësore.
Due ka vlerësuar gjithashtu se Policia e Kosovës, gjatë 21 ditëve të protestave, përgjithësisht është sjellë në mënyrë paqësore.
Megjithatë, ai ka ngritur shqetësime për koordinimin dhe shkëmbimin e informatave me Kombet e Bashkuara, duke bërë të ditur se këto çështje i ka diskutuar me përfaqësuesit në Prishtinë dhe partnerët ndërkombëtarë.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së tij iu kushtua edhe ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi i Kosovës lidhur me Dhomat e Specializuara.
“Kuvendi miratoi ndryshime, duke kufizuar kompetencat e Speciales. E ritheksojmë brengosjen e BE-së. Të pandehurit kanë të drejtën e apelit. Integriteti dhe pavarësia e procedurave gjyqësore duhet të respektohen dhe çdo veprim legjislativ duhet të jetë në përputhje me obligimet ligjore dhe ndërkombëtare të Kosovës”, ka deklaruar Due.
Çështja e Dhomave të Specializuara dhe zhvillimet që lidhen me to mbetet ndër temat e diskutuara në nivel ndërkombëtar, krahas dialogut Kosovë–Serbi dhe situatës së përgjithshme politike e të sigurisë në vend.