February 9, 2026
1 min read

Kryeziu: Kërkesa për 180 vjet burgim është antikushtetuese, antiligjore dhe antimorale

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu sot në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova ka komentuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, për dënim me burgim prej 45 vjetësh për secilin – 180 vjet në total ndaj katërshes së UÇK-së.

Sipas Kryeziut, Prokuroria nuk ka të drejtë të propozojë dënime të caktuara për të akuzuarit, ndërsa kërkesën e tyre e ka quajtur antikushtetuese, antiligjore dhe antimorale.

“Veprimet e tyre janë absurde dhe jashtë ligjit dhe Kushtetutës. Në rregulloret e tyre, askund nuk shkruan, që Prokuroria të propozojë numerikisht masën e dënimit. Ata kanë të drejtë me mbetë pranë aktakuzës dhe me thanë që kërkojnë dënim.

Kjo kërkesë është antikushtetuese, antiligjore dhe antimorale, që nuk duhet ta bëjë një gjykatë e rregulluar me ligjet tona. Kushtetuta është shkelur me këtë kërkesë, të drejtat dhe liritë e njeriut. Po ashtu i ka shkelë të gjitha rregulloret e brendshme.” – u shpreh ish gjyqtari.

Tutje, ai tha se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë luftuar për liri e pavarësi, luftë kjo e cila është mbështetur nga shtetet më demokratike, përfshirë ShBA-në.

“Këta njerëz që ndodhen atje janë njerëz të historisë sonë, kanë luftu për liri, pavarësi e demokraci. Kjo luftë është mbështetur nga shtete më demokratike të botës, duke i prirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, mendoj që nuk ka kurrfarë logjike të veprohet kështu” – tha Kryeziu. 

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop