Komisioni për verifikimin e mandateve ka përfunduar takimit. Tash pritet të rifillojë seanca.
Nga partitë u propozuan: Adnan Rrustemi nga LVV, Përparim Gruda nga PDK, Armend Zemaj nga LDK, Sërgjan Popoviq nga Lista Serbe dhe Albana Bytyqi nga AAK.
Edhe partitë tjera të pakicave jo-serbe propozuan emrat për formimin e komisionit për verifikim të mandateve.
Nga 118 deputetë në sallë, të gjithë votuan pro.
Pika e parë e rendit të ditës së kësaj seance, është krijimi i një komisioni nga të gjitha partitë për të verifikuar mandatet e deputetëve, pastaj hedhet në votim ai raport, i cili nëse kalon, shkohet në pikën e dytë, që është betimi i deputetëve.
Pika e tretë, pas betimit, do të jetë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Pika e katërt, që është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, vazhdon nëse zgjedhet kryetari i ri i Kuvendit.
Kur këto katër pika të përfundojnë, legjislatura e re e Kuvendit konsiderohet e konstituuar, kur nisin të rrjedhin edhe afatet e qeverisë së re, që është 15 ditë pas konstituimit.