March 16, 2026
4 mins read

Mashtrim me një grant bujqësor/ Valmir Hajrullahu dënohet me 2 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë

Gjykata Themelore në Ferizaj- Departamenti i Përgjithshëm– Divizioni Penal, ka shpall aktgjykim dënues ndaj Valmir Hajrullahut duke e dënuar me 2 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë, si edhe ndaj personit juridik “E.D&C” Sh.P.K., duke e dënuar me 6 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për mashtrim rreth një granti bujqësor.

Aktgjykimi u shpall të premten (13 mars 2026) nga gjyqtarja e vetme gjykuese Mimoza Maloku-Shabani, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në njoftimin e gjykatës, thuhet se personi juridik “E.D&C” Sh.p.k., u dënua me 6 mijë euro gjobë, të cilën obligohet ta paguajë në afat prej 30 ditësh pasi aktgjykimi ta marrë formën e prerë.

Kurse, i pandehuri Hajrullahu u dënua me 2 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë, të cilat dënime do të ekzekutohen pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

“E.D&C” akuzohet se përmes personit juridik- të akuzuarit Hajrullahu mashtroi të dëmtuarin R.H., duke e bindur të paguajë një shumë parash me premtimin se do ta fitojë një grant bujqësor- traktor në vlerë rreth 25 mijë euro. Kështu, pasi i deponoi paratë, i akuzuari nuk iu lajmërua, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm 5 mijë e 80 euro.

“I pandehuri Personi Juridik “E.D&C” SH.P.K, akuzohet se më datë 15.05.2019 në Ferizaj, i pandehuri në cilësinë e personi juridik “E.D&C” SH.P.K, përmes pësonit përgjegjës V.H., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrit e mashtron të dëmtuarin R.H., në atë mënyrë që derisa i dëmtuari kishte shkuar tek zyra e biznesit “E.D&C” SH.P.K., për të biseduar rreth një plani biznesi për të aplikuar për një grand bujqësorë kinse të financuar nga shtete e huaja, i pandehuri kishte thënë se nëse e paguan një shumë të parave në vlerë prej 4.280.00 € në llogari të Personit Juridik “E.D&C” SH.P.K., do ta fitosh një grand bujqësor saktësisht një mjet bujqësor traktor me një vlerë rreth 25.000.00 €, ku i dëmtuari kishte deponuar shumën e kërkuar nga i pandehuri në emër të personit juridik, në bankë, si dhe shumë tjetër të parave në vlerë prej 800.00 € kinse për plan biznesi, e nga ajo ditë i njëjti nuk iu ishte përgjigjur dhe nuk ia kishte kthyer paratë e marra e as që kishte marrë ndonjë grandë, kështu që nga veprimet e të pandehurit të dëmtuarit i ka shkaktuar dëme materiale rreth 5.080.00 €”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, personi juridik “E.D&C” Sh.p.k akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, paragrafi 1 lidhur me nenin 37 të Kodit penal.

Kurse, i akuzuari Hajrullahu akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të personit juridik, mashtroi të dëmtuarinn R.H., duke i premtuar grant bujqësor.

“Ndërsa, i pandehuri V.H., akuzohet se më datë, kohë dhe vend si në pikën e parë të dispozitivit i pandehuri në cilësinë e personit përgjegjës i Personit Juridik “E.D&C” SH.P.K., me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrit e mashtron të dëmtuarin R.H., në atë mënyrë që në atë mënyrë që derisa i dëmtuari kishte shkuar tek zyra e biznesit “E.D&C” SH.P.K., për të biseduar rreth një plani biznesi për të aplikuar për një grand bujqësorë kinse të financuar nga shtete e huaja, i pandehuri i kishte thënë se nëse e paguan një shumë të parave në vlerë prej 4.280.00 € në llogari të Personit Juridik “E.D&C” SH.P.K., do ta fitosh një grand bujqësor saktësisht një mjet bujqësor traktor me një vlerë rreth 25.000.00 €, ku i dëmtuari kishte deponuar shumën e kërkuar nga i pandehuri në emër të personit juridik, në bankë, si dhe shumë tjetër të parave në vlerë prej 800.00 € kinse për plan biznesi, e nga ajo ditë i njëjti nuk iu ishte përgjigjur dhe nuk ia kishte kthyer paratë e marra e as që kishte marrë ndonjë grandë, kështu që nga veprimet e të pandehurit të dëmtuarit i ka shkaktuar dëme materiale rreth 5.080.00 €”, njofton gjykata.

Me këto veprime, Hajrullahu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, paragrafi 1 të Kodit penal.

Bëhet e ditur se me aktvendim të veçantë, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt.

Ndryshe, për mashtrim me grante në bujqësi, Hajrullahu akuzohet edhe me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur, më 29 mars 2017.

Latest from Blog

Turqia dënon operacionin tokësor të Izraelit në Liban

Turqia dënoi të hënën operacionin tokësor të Izraelit në Liban, duke paralajmëruar kundër “një katastrofe tjetër humanitare” që po zhvillohet në Lindjen e Mesme. “Ne dënojmë fuqimisht operacionin tokësor izraelit në Liban,
Go toTop