March 17, 2026
3 mins read

Rasti i 5-vjeçarit: QPS në Lipjan ishte në dijeni për gjendjen e familjes, fëmija u largua kur situata u bë kritike

“Ne i kemi ndërmarrë të gjitha që janë në pyetje mbrojtja e fëmijëve”.

Kështu deklaroi për Klan Kosovën, Makfire Shamolli, drejtore e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, për rastin e rëndë në Lipjan, ku dyshohet se prindërit kanë keqtrajtuar fëmijën e tyre pesë vjeçar.

Sipas saj, rasti është bërë i ditur para dy netësh, kur organet e rendit kanë njoftuar Qendrën për Punë Sociale dhe organet e tjera për t’i dalë në ndihmë këtij fëmije.

“Ne normalist në përputhje me kompetencat dhe detyrimet që i kemi marrë veprime për mirëqenien e fëmijëve”, ka shtuar Shamolli, pa treguar për veprimet që ajo dhe institucioni që drejton kanë ndërmarrë për këtë rast.

Për situatën kritike në këtë familje nga Lipjani, me disa fëmijë, QPS atje, thotë se ishte në dijeni edhe më herët, por që fëmija 5-vjeçar ka vazhduar të jetojë me ta.

“Parambrëmë është raportu rasti, ne i kemi marrë menjëherë veprimet. Fëmijët janë në masa mbrojtëse që ne i kemi kompetentë si institucion. Për plotësimin e nevojave janë informu edhe organet e drejtësisë, mbetet edhe pjesë ajo në e përkushtimit me institucionet relevante për procedura të tjera. Është një çështje familjare duhet me respektu privatësinë e tyre.

Por a kanë qenë në dijeni për gjendjen mendore të prindërve?

“Këto çështje janë pjesë që shërbimet sociale në komunitetin e vet, në përgjithësi i njohin dhe nuk mundet me qenë periferike dhe e panjohur për ne”, ka përfunduar Shamolli pa dhënë më shumë detaje rreth veprimeve të tyre karshi kësaj familje dhe fëmijës, shëndeti i të cilit tronditi opinionin publik të martën.

Mirlinda Qyqalla nga ShSKUK ka treguar se fëmija është sjellë nga Lipjani, në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF atje, siç tha, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, “të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze”.

Qyqalla për Klan Kosovën tha se në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me vështirësi në komunikim, si dhe kishte dyshim për kequshqyerje.

“Menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë – Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë”, tha ajo.

Duke pasur parasysh dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, ajo bëri të ditur se janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.

“Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin”, tha ajo.

Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, Qyqalla njoftoi se në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale.

Aktualisht, fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe siç tha ajo, “është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, deklaroi për Klankosova.tv se të dyshuarit (babai dhe nëna) e fëmijës janë ndaluar për 48 orë.

”Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dy (2) persona për një periudhë prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Shkelja e detyrimeve familjare”, sipas nenit 244 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Lëndim i rëndë trupor”, sipas nenit 186 të KPRK-së. Në këtë drejtim, Prokurori i rastit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të ofrojmë detaje të mëtejshme, pasi kjo mund të dëmtojë integritetin dhe mbarëvajtjen e hetimeve”, deklaroi ajo.

Latest from Blog

Go toTop