March 19, 2026
2 mins read

LVV-së i “digjen” nënshkrimet për presidentin

Ndonëse deputetët e kuvendit kishin dështuar ta zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues, njohësit e Kushtetutës vlerësojnë se një mundësi e dytë mund t’u jepet nga Gjykata Kushtetuese. Kjo për shkak se seanca ka nisur brenda afateve kushtetuese dhe nuk janë ezauruar tri rundet për zgjedhjen e presidentit.

Por përfaqësuesi i Zyrës ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqki, vlerëson se 66 nënshkrimet e Grupit parlamentar të LVV-së për dy kandidatët për president, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun, janë ezauruar.

“Nëse do të vazhdojë seanca për zgjedhjen e presidentit dhe nëse në garë do të jenë Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, atëherë nënshkrimet e deputetëve të Grupit parlamentar të LVV-së konsiderohen të konsumuara, pasi pothuajse të gjithë 66 deputetët e këtij Grupi parlamentar i kanë dhënë nënshkrimet për kandidaturat e tyre. Potencialisht, nëse do të ketë nevojë të propozohet edhe një kandidaturë e re, ajo patjetër duhet të sigurojë, para procesit të votimit, së paku 30 nënshkrime të deputetëve të kuvendit. Por këto 30 nënshkrime duhet të jenë nga grupet e tjera parlamentare”, tha Bugaqki për RTV21.

Juristi Anton Nrecaj vlerëson se Gjykata Kushtetuese mund të vendosë si në rastin e nënkryetarit të kuvendit, Nenad Rashiq, kur e kishte cilësuar se zgjedhja e tij ishte antikushtetuese, mirëpo procesi i zgjedhjes ishte i pakthyeshëm për konstituimin e kuvendit. Nrecaj thotë se edhe në rastin e zgjedhjes së presidentit, gjykata mund të vendosë se dekreti i presidentes ishte kushtetues, por që procesi i seancës për zgjedhjen e presidentit duhet të vazhdojë derisa të ezauroren tri rundet.

“Gjykata mund t’i referohet nenit 82, i cili thotë se procedura për zgjedhjen e presidentit mund të zgjasë nga momenti i inicimit të procedurës deri në 60 ditë. Kjo u jep hapësirë partive politike që të gjejnë një konsensus, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet”, tha Nrecaj .

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në emisionin “CLICK”, pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë në mënyrë të balancuar sa i përket dekretit të presidentes Osmani dhe procedurës për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Është e vërtetë që është shkelur Kushtetuta te afati 30-ditor. Kuvendi ka dështuar ta përmbushë këtë obligim, por dështimi jo domosdoshmërisht e dërgon vendin në zgjedhje dhe as nuk i jep të drejtë presidentes të lëshojë dekret për shpërndarjen e kuvendit, sepse Kosova është republikë parlamentare”, tha Miftaraj.

Njohësit e Kushtetutës thonë se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zvarrisë vendimin pas 31 marsit, duke mos përjashtuar që në lëndën për dekretin e presidentes mund të ndikojë edhe kërkesa e kryeparlamentares Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar nga gjykata që t’i obligojë deputetët të qëndrojnë në sallë.

Latest from Blog

Go toTop