March 19, 2026
1 min read

Apeli refuzon ankesën e Institutit Albanologjik ndaj MASHTI-së

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Institutit Albanologjik, përmes së cilës ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë ndaj vendimit të MASHTI-së, për zgjedhjen e drejtorit të këtij Instituti.

Me këtë rast, Apeli ka nxjerrë aktvendim me të cilin ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore, duke refuzuar si të pathemeltë ankesën e paditësit, Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Sipas ish-ministres së MASHTI-së, Arbërie Nagavci, kjo Ministri kishte anuluar vendimin për zgjedhjen e drejtorit të Institutit Albanologjik.

“Pas këtij vendimi, në janar të këtij viti, i jam drejtuar Prokurorisë Speciale, duke kërkuar hetim për shkeljet e dyshuara, përfshirë keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe cenimin e të drejtave në punë.

Bazuar në dokumentet zyrtare, rezulton se ka pasur veprime të kundërligjshme në këtë proces” ka deklaruar Nagavci.

Ky është postimi i plotë i saj:

Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendim me të cilin ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore, duke refuzuar si të pathemeltë ankesën e paditësit, Institutit Albanologjik të Prishtinës, me të cilën ishte kërkuar caktimi i masës së sigurisë ndaj vendimit të datës 26.01.2026 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Më 26 janar 2026, për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore gjatë procesit të zgjedhjes, MAShTI kishte anuluar vendimin për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës.

Pas këtij vendimi, në janar të këtij viti, i jam drejtuar Prokurorisë Speciale, duke kërkuar hetim për shkeljet e dyshuara, përfshirë keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe cenimin e të drejtave në punë.

Bazuar në dokumentet zyrtare, rezulton se ka pasur veprime të kundërligjshme në këtë proces, andaj presim që vendimi meritor lidhur me këto pretendime të merret sa më parë.

Njëkohësisht, presim që procedura për zgjedhjen e Drejtorit/eshës të fillojë sa më shpejt dhe vendimmarrja të jetë e bazuar në meritokraci, transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin, duke garantuar një proces të drejtë, të paanshëm dhe të mbështetur në kritere profesionale.

Instituti Albanologjik, si institucion me rëndësi të veçantë shkencore dhe kombëtare, meriton një drejtim të bazuar në ligj, transparencë dhe integritet të plotë.

Latest from Blog

Go toTop