Gjykimi për rastin e njohur si “53-milionëshi”, ku të akuzuar janë ish-ministri Pal Lekaj, këshilltari i tij politik Eset Berisha, si dhe Nebih Shatri e Besim Tahiri, ka vazhduar më 19.03.2026, me elaborimin e ekspertizës së ekspertit financiar Naser Rusinovci.
Gjatë paraqitjes së tij, ai tha se nuk është dashur të paguhet shuma prej 53 milionë eurosh kompanisë Bechtel & Enka për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, e njohur si autostrada “Arbën Xhaferi”.
Rusinovci ka thënë se nuk e di se si ka hyrë “Bechtel & Enka” për të marrë këtë projekt, i cili, sipas tij, është i përfshirë në keqpërdorime të shumta.
“Nuk është dashur të paguhet shuma prej 53 milionë euro për ‘Bechtel & Enkën’…, nuk e di qysh ka pranuar ‘Bechtel-i’ me punu në Kosovë me gjithë këto keqpërdorime” – tha ai.
Sipas tij, edhe po të shkonte rasti në Gjyqin e Arbitrazhit, “Bechtel & Enka” nuk do të fitonte më shumë se 1 milion euro.
Kompania që ka ndërtuar autostradën, siç ka thënë ai, nuk do ta çonte rastin në gjykatë të arbitrazhit, pasi do ta humbte atë.
“Bechtel & Enka nuk do ta kishte çuar rastin në Arbitrazh fare, sepse do ta humbte vetë” – deklaroi eksperti.
Sipas dëshmitarit, marrëveshja që është lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe “Bechtel & Enkës” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve është e pavlefshme, pasi nuk është aneks i kontratës bazë për ndërtimin e autostradës. Kjo marrëveshje, sipas tij, konsiderohet si punë juridike e re.
Eksperti financiar tha se gjatë analizimit të lëndës kanë vërejtur se në fillim çmimi i kontratës për ndërtimin e autostradës ka qenë i paraparë 495 milionë euro, por vlera e projektit ishte rritur në 600 milionë.
Seanca e sotme ka përfunduar me elaborimin e ekspertizës përmes pyetjeve të Prokurorisë Speciale, kurse në seancën e radhës eksperti do të përgjigjet në pyetjet që do i parashtrojnë mbrojtja e të akuzuarve.
Kujtojmë që eksperti financiar e ka filluar elaborimin e ekspertizës më 16.02.2026.