Imami i Xhamisë Mati 1, Fadil Musliu, ka theksuar rëndësinë e veçantë të festës së Fitër Bajramit, duke e cilësuar atë si një ndër dy festat kryesore në fenë islame.
Musliu, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, ka uruar të gjithë besimtarët për Festën e Fitër Bajramit duke u uruar mirësi e begati.
Imami Musliu vlerëson se Fitër Bajrami vjen pas një përkushtimi njëmujor të besimtarëve myslimanë në adhurim gjatë muajit të Ramazanit.
“Festa e Fitër Bajramit është festë e veçantë, ne në fenë islame nuk kemi edhe shumë festa – e kemi festën e Fitër Bajramit dhe festën e Kurban Bajramit. Festa e Fitër Bajramit vjen si rezultat i një pune një mujore që besimtarët myslimanë kanë qenë të përkushtuar në adhurimin e Zotit ditën e natën – ky madhërim i Zotit është shtuar në 10 ditët e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit, sidomos në netët kur kemi kërkuar Natën e Kadrit e pastaj vjen ajo jeta rutinore që ka qenë para Ramazanit – duke ngrënë dhe pirë prandaj quhet edhe Fitër Bajram”, u shpreh Musliu.
Duke folur për dimensionin shoqëror të kësaj feste, Musliu thotë se festa e Bajramit karakterizohet edhe nga vizitat e ndërsjella dhe afrimi mes njerëzve, duke u kthyer në një mundësi të mirë për pajtim dhe forcim të lidhjeve familjare, farefisnore dhe shoqërore.
“Si festë ka shumë dimensione ku manifestohet me vizita të ndërsjella dhe vizita të shumta të cilat nuk bëhen ndonjëherë gjatë vitit dhe është një rast i mirë për të gjithë ata që kanë ftohur raportet familjare, farefisnore e kolegjiale – apo ‘runa Zot’ ata që kanë shkëputur raportet gjë që është edhe e ndaluar. Kjo festë mund të jetë si sebep që t’i hapim derën njëri-tjetrit dhe një manifestim i vizitave kaq të shumta nuk vërehet gjatë gjithë vitit sikur në festat e Bajramit. Në këtë festë besimtarët edhe i dalin në ndihmë njëri-tjetrit teksa solidariteti dhe humaniteti është prezent në veçanti gjatë Ramazanit dhe Bajramit”, u shpreh Musliu.