Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, por një pjesë e argumentimit të tyre lë për të dëshiruar.
Në kërkesën KO74/26, parashtruesit pretendojnë se një analogji e njëjtë me afatet ligjore dhe kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit duhet të aplikohet edhe në procedurat e zgjedhjes së drejtuesve të institucioneve të tjera kushtetuese, duke përmendur Avokatin e Popullit, Auditorin e Përgjithshëm, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, por edhe Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
“…, parashtruesit e kërkesës KO74/26 po ashtu pretendojnë se një analogji e njëjtë aplikohet edhe në procedurat e zgjedhjes së drejtuesve të institucioneve tjera të parashikuara me Kushtetutë, përkitazi me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Auditori i Përgjithshëm dhe Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se në rastet konkret, kalimi i afatit të përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit të ri, nuk nënkupton se duhet të pushojnë të gjitha përpjekjet për ta kryer procedurën edhe pas këtij afati, duke theksuara se “Deputetët thjesht duhet të vazhdojnë deri në afatin tjetër 60-ditor, sipas nenit 82 paragrafi 1.3, pas kalimit të të cilit Kushtetuta kërkon shprehimisht që Kuvendi të shpërndahet dhe, rrjedhimisht, që të mos ketë më përpjekje”, thuhet në pikën 41 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (KËTU aktgjykimi i plotë).
Por, ndryshe nga institucionet e tjera të përmendura, drejtori i AKI-së nuk zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës. Sipas legjislacionit në fuqi, ai emërohet përmes një procesi të përbashkët nga Presidenti dhe Kryeministri, dhe jo përmes votimit parlamentar.
“Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”, thuhet në pikën 5.7 të Ligjit për AKI-në.
