Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë Anti-Drogë në Pejë, përmes një komunikate për media kanë njoftuar se sot kanë realizuar një aksion në fshatin Jabllanicë e Vogël, Komuna e Pejës.
Prokuroria ka konfirmuar se gjatë këtij aksioni është zbuluar dhe shkatërruar një laborator për prodhimin e narkotikëve të llojit Kanabis sativa.
“Në kuadër të operacionit anti-drogë të planit operativë “Stop drogave” janë sekuestruar gjithsej 91 bimë narkotike të llojit Kanabis sativa, pajisje të sofistikuara për prodhimin e narkotikëve, një armë zjarri, si dhe është konstatuar kyçje ilegale në rrjetin elektrik për funksionimin e këtyre pajisjeve në kuadër të veprimtarisë së kundërligjshme”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës gjatë aksionit ka arrestuar një person të dyshuar, i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.