Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme Blerta Kelmendi, përmes video-lidhjes/video-incizimit ka shpallur aktgjykim ndaj të pandehurit Z.G. për veprën penale “Dhuna në familje”.
Gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor sipas nenit 248 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej tetë muajsh, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës së verifikimit prej dy vitesh.
Po ashtu, gjykata i ka shqiptuar gjobë në shumën prej 600 euro, të cilën i pandehuri është i obliguar ta paguajë brenda 30 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, duke parashikuar që mos-pagesa e saj do të zëvendësohet me dënim me burgim në përputhje me dispozitat e KPRK-së.
Gjyqtarja ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese, duke vlerësuar pranimin e fajësisë, kërkimfaljen e të pandehurit, mungesën e dënimeve të mëparshme dhe moshën relativisht të re, ndërsa si rrethanë renduese është konsideruar mosha e shtyer e të dëmtuarës.Palët kanë të drejtë të ankohen brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.