Edhe në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, shpalli aktgjykim dënues ndaj Shkumbin Kryeziut, i cili ngarkohet për vrasjen e V.Xh., në dhjetor të 2021-ës në Hajvali, duke e dënuar me dënim unik prej 20 vjet burgim.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Ertan Sejfulla dhe anëtarët Fatime Dermaku dhe Naser Foniqi.
Për “Vrasje në bashkëkryerje”, Kryeziu u dënua me 19 vjet e gjysmë burgim, për “Armëmbajtje pa leje” u dënua me 1 vit burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik, me të cilin Kryeziun e dënoi me dënim unik prej 20 vjet burgim.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburigm. Të njëjtit iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të vendimit.
I akuzuari obligohe t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale dhe atë për paushallin gjyqësor 100 euro dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.
I akuzuari Kryeziu nuk ishte i pranishëm në shpallje.
Kujtojmë se në seancën e 2 prillit 2026, gjatë fjalës përfundimtare, i akuzuari Kryeziu deklaroi se ai nuk e ka kryer vrasjen për të cilën ngarkohet por që kryerësi është vëllai i tij i mitur, për të cilin është munduar ta marrë përgjegjësinë.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 25 korrik 2024, e kishte dënuar të akuzuarin Kryeziu me 20 vite burgim. Por, rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me vendimin e përpiluar më 5 shkurt 2025, përmes të cilit thuhej se në rigjykim duhet të administrohen edhe një herë provat, të vlerësohet mendimi i ekspertit mjeko-ligjor nëse ftohet edhe një herë, të shihet nga Agjencia Kosovare e Forenzikës (AKF) ekzaminimi i mjetit të sekuestruar, e që nëse nuk është bërë ekzaminimi, të bëhet i njëjti.