Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe Serbi. Ne, si secili prej jush, e dimë se kjo paqe dhe stabilitet ka rëndësi për të dy vendet – dhe për të ardhmen e një Ballkani Perëndimor më të begatë.
Kështu e nisi fjalimin e saj ambasadorja amerikane në KS të OKB-së, Tammy Bruce, në seancën për punën e UNIMIK-ut në Kosovë.
Ajo tha se ShBA-ja e di dhe e vlerëson faktin se populli i Kosovës dhe populli i Serbisë janë miqtë tanë dhe se ata meritojnë një të ardhme të përcaktuar nga siguria, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet fqinjësore – “jo nga tensioni politik apo ankesat e ricikluara”.
“Pra, mesazhi ynë për Ministrin Gjuriq dhe Ministrin Konjufca është i thjeshtë: e vetmja rrugë e qëndrueshme përpara është normalizimi”.
“Presidenti Trump dhe populli amerikan po ju dëgjojnë me kujdes sot që të angazhoheni qartë për të punuar dhe për të lulëzuar së bashku”, u shpreh Ambasadorja Bruce.
Tutje, duke iu drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ajo tha se shpresojnë që të dyja palët do ta ulin temperaturën, do ta shmangin përshkallëzimin dhe do të qëndrojnë të angazhuar në tryezën e bisedimeve.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë me udhëheqësit që shikojnë drejt së ardhmes në vend të së kaluarës, me një dialog të vërtetë në vend të teatrit”, deklaroi diplomatja amerikane.
Më tej, përfaqësuesja amerikane në KS të OKB-së, foli edhe për punën e UNMIK-ut, duke potencuar se populli amerikan po vëzhgon se çfarë bën KS e OKB-së me UNMIK-un.
“Ky Këshill ka një përgjegjësi themelore ndaj atyre që e financojnë dhe atyre që dërgon: të sigurojë që misionet të jenë të angazhuara në mënyrë aktive në operacione thelbësore – dhe që ato t’u qëndrojnë besnikë qëllimeve për të cilat janë krijuar”.
“Në këtë provë, UNMIK-u nuk është më në nivelin e duhur”.
Ajo shtoi se UNMIK-u u krijua në vitin 1999 sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, pas konfliktit dhe dëbimeve nga Kosova, për të siguruar një prani të përkohshme ndërkombëtare civile dhe për të ndihmuar në stabilizimin e një mjedisi të rrezikshëm pas luftës.
“Ky ishte një moment tjetër, një mision tjetër dhe një Kosovë tjetër. Ky nuk është realiteti në terren sot. Nuk ka asnjë justifikim për ta trajtuar Kosovën në vitin 2026 sikur të ishte ende Kosova e vitit 1999”.
“Sot, KFOR-i ndihmon në ruajtjen e sigurisë në rajon. EULEX-i dhe OSBE-ja punojnë për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të forcuar institucionet e Kosovës. Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Peter Sorensen, udhëheq dialogun Prishtinë-Beograd. UNMIK-u nuk luan më një rol domethënës qeverisës, ushtarak apo ndërmjetësues”.
“Nuk po adreson një krizë aktive paqeruajtëse, nuk është garantues sigurie në terren dhe nuk po përparon normalizimin. Shumë nga funksionet që ende i ruan në letër trajtohen më mirë nga organizata të tjera”.
“Megjithatë, ky mision mbetet. Pse? Në një botë krizash reale që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nga Ukraina, në Iran, Haiti dhe Sudan, populli amerikan – dhe sinqerisht të gjithë ata që financojnë këtë mision – kanë të drejtë të bëjnë një pyetje të thjeshtë: për çfarë saktësisht po paguajmë ende?”, deklaroi Ambasadorja amerikane.
Ajo tha se UNMIK-u sot ka një prezencë civile prej afërsisht 300 personash dhe vetëm 8 oficerë ushtarakë gjithsej. “Me një fjalë: është një mision paqeruajtës i mbingarkuar me personel dhe i mbifinancuar pa paqeruajtës”.
Tammy Bruce mirëpriti reduktimet e propozuara nga Sekretari i Përgjithshëm në buxhetin e UNMIK-ut për vitin financiar të ardhshëm paqeruajtës, ndonëse nuk u pajtua me shumën e reduktuar prej 8.6%, e cila tha se “arrin në rreth katër milionë dollarë kursime”.
Ambasadorja amerikane tha se derisa ky Këshill të arrijë një marrëveshje për mbylljen e UNMIK-ut, “misioni duhet të përmirësohet më tej, personeli i tij të reduktohet më tej dhe funksionet e tij të mbetura t’u transferohen zyrtarisht institucioneve dhe subjekteve që janë – jo vetëm më të përshtatshme për t’i kryer ato – por që tashmë po e bëjnë këtë”.
Këshilli i Sigurimit, potencoi ajo, nuk duhet ta matë efektivitetin me sa kohë mbijeton një mision. “Ai duhet ta matë efektivitetin me atë nëse paqja është bërë e qëndrueshme, institucionet e afta dhe nëse misioni nuk është më i nevojshëm”.
“Në Kosovë, përgjigjja është e qartë: Kushtet në terren, aftësitë e institucioneve lokale dhe prania e qëndrueshme e aktorëve të tjerë, veçanërisht atyre nga BE-ja, të gjitha tregojnë në të njëjtin drejtim: UNMIK-u ka arritur në fund të rrugës”.
“Dhe nëse ky Këshill e ka seriozisht besueshmërinë, disiplinën dhe reformën, atëherë duhet të veprojmë në këtë mënyrë”, përfundoi fjalën e saj ambasadorja amerikane në OKB, Tammy Bruce.