Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nesër do të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas njoftimit, tërheqja e shortit do të mbahet më 16 maj 2026, në ora 11:00.
Më datë 13, KQZ ka certifikuar 4 prej 5 subjekteve të reja politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje gjatë periudhës 2 maj – 10 maj 2026.
Pas plotësimit të kritereve të përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore të KQZ-së, subjektet e certifikuara (3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur) janë:
- Koalicioni me emrin Lëvizja VETËVENDOSJE!, i cili përbëhet nga 4 parti politike të regjistruara: Lëvizja VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternatia dhe Partia Shqiptare Demokristiane;
- Koalicioni me emrin Koalicija Vakat, i cili përbëhet nga 2 parti politike të regjistruara: Demokratska Stranka Bosnjacka dhe Demokratska Stranka Vatan;
- Koaliconi me emrin ASHKALITË E BASHKUAR, i cili përbëhet nga 3 parti politike të regjistruara: Partia e Ashkailinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim; dhe
- Kandidati i pavarur Esmir Kasi.
Poashtu, KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
“Katër parti politike, të cilat më herët kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, nuk kanë dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë”, ka njoftuar KQZ.
Ndërkaq, numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto 23 subjekte politike është 917, prej të cilëve 603 burra dhe 314 gra