Gjatë gërmimeve dhe ekshumimeve në Zubin Potok janë zbuluar mbetje kockore që, sipas vlerësimeve fillestare, dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Operacioni është zhvilluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. Gjetja është konfirmuar të mërkurën nga ekipet mjeko-ligjore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se identifikimi i plotë i mbetjeve nuk mund të përcaktohet ende dhe do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave të tjera përkatëse.
Në lidhje me rastin janë duke u hetuar tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Të tre të dyshuarit ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa hetimet dhe procedurat mjeko-ligjore për gjetjet në Zubin Potok janë duke vazhduar.