August 19, 2026
1 min read

Rruga Prizren-Tetovë, temë diskutimi mes Bashës dhe homologut të tij maqedonas

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, është takuar të mërkurën në Shkup me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, ku në fokus kanë qenë projektet e përbashkëta infrastrukturore.

Një nga temat kryesore të takimit ka qenë rruga Prizren–Tetovë dhe tuneli që pritet të lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Basha ka bërë të ditur se projekti tashmë ndodhet në fazën e hartimit, ndërsa ekipet teknike të të dyja vendeve po bashkëpunojnë për finalizimin e tij.

Sipas tij, palët janë pajtuar që puna teknike të përshpejtohet, në mënyrë që projektimi të përfundojë sa më shpejt dhe më pas të nisin procedurat për kontraktimin dhe realizimin e projektit.

Basha e ka cilësuar tunelin Prizren–Tetovë si një projekt me rëndësi të veçantë, i cili pritet të shkurtojë ndjeshëm distancën mes dy qyteteve dhe të krijojë një korridor të ri ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Në takim është diskutuar edhe për projekte të tjera të transportit, përfshirë autostradën Prishtinë–Shkup, rikthimin e komunikacionit hekurudhor ndërmjet dy vendeve dhe funksionalizimin e një stacioni të përbashkët hekurudhor kufitar, të njohur si “One Stop Shop”.

Ministri maqedonas, Aleksandar Nikoloski, ka vlerësuar rëndësinë e autostradës Shkup–Bllacë për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve, duke thënë se ajo do të ndikojë në transport më të shpejtë e më të sigurt dhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Nikoloski ka konfirmuar gjithashtu se projekti Tetovë–Prizren është në proces dhe se grupet punuese të të dyja vendeve do të vazhdojnë angazhimin për përfundimin e projektimit.

Pas përfundimit të kësaj faze, pritet të vijojë edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërshtetërore për zbatimin e projektit.

Latest from Blog

Go toTop