Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë si folës në edicionin e 12-të të Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij aktiviteti, ai ka bashkëbiseduar me diplomatë të rinj nga vende të ndryshme të Evropës, Azisë, Afrikës dhe Amerikës, duke diskutuar për raportet mes diplomacisë dhe mbrojtjes, sfidat aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Maqedonci ka theksuar se siguria e një vendi nuk varet vetëm nga kapacitetet ushtarake, por edhe nga diplomacia aktive, institucionet e qëndrueshme dhe partneritetet me shtetet e tjera.
Në këtë kontekst, ministri ka veçuar rëndësinë e bashkëpunimit me vendet anëtare të NATO-s, zhvillimit të industrisë së mbrojtjes dhe zbatimit të Programit Gjithëpërfshirës të Mbrojtjes, si hapa të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Ai gjithashtu ka vënë në pah rolin e diplomatëve të rinj në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet shteteve, forcimin e mirëkuptimit dhe avancimin e paqes e stabilitetit në nivel ndërkombëtar.
Sipas Maqedoncit, siguria përbën një përgjegjësi të përbashkët dhe garantohet më mirë kur diplomacia, institucionet e mbrojtjes dhe partnerët ndërkombëtarë bashkërendojnë përpjekjet e tyre.