Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, janë në mesin e liderëve të ftuar në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet pasnesër në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi.
Në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Pjesë e samitit do të jenë gjithashtu përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare.
Në mesin e pjesëmarrësve do të jetë edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë vizitës në Mal të Zi pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e vendit dhe përfaqësues të tjerë politikë.
Gjatë këtyre takimeve, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përparimit të Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe reformave që nevojiten për avancimin e këtij procesi.
Po ashtu, është raportuar se Marta Kos mund të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar zhvillimet aktuale në vend.
Bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit, ndërlidhja dhe integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor pritet të jenë ndër çështjet kryesore që do të trajtohen gjatë samitit.
Në listën e pjesëmarrësve përfshihen edhe drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Botërore, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal.