Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ku kanë diskutuar për Lojërat Mesdhetare dhe planet për zhvillimin e kryeqytetit.
Pas takimit, Hargreaves ka vlerësuar se Prishtina është një qytet që po zhvillohet vazhdimisht, duke vënë në pah potencialin që projektet e reja dhe investimet e planifikuara mund të sjellin për bizneset dhe investitorët britanikë.
Diskutimet janë përqendruar te organizimi i Lojërave Mesdhetare, projektet e zhvillimit urban dhe mundësitë për tërheqjen e investimeve të reja në kryeqytetin e Kosovës.
Ambasadori britanik ka theksuar rëndësinë e planeve ambicioze të Prishtinës, të cilat mund të hapin mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik dhe përfshirjen e bizneseve britanike në projektet e ardhshme.